E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet shuma që u vodh dje te “Raiffeisen Bank” te Komuna e Parisit
Lajme

Zbulohet shuma që u vodh dje te “Raiffeisen Bank” te Komuna e Parisit

Një grabitje e mirëorganizuar në një bankë të nivelit të dytë, Raiffeisen Bank, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ka përfunduar me marrjen e rreth 60 mijë eurove. Autorit të maskuar dhe të armatosur i janë dashur vetëm tre minuta për të marrë paratë dhe për t’u larguar nga vendngjarja me monopatinë elektrike.

Ngjarja ndodhi paraditen e së hënës, kur një person me fytyrën e mbuluar dhe me pistoletë në dorë hyri në ambientet e bankës, duke vënë nën kërcënim punonjësit dhe sigurinë e objektit.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga grupi hetimor, po analizohen nga hetuesit. Sipas raportimeve, mënyra se si është vepruar ka ngritur dyshime se autori mund të ketë pasur njohuri paraprake mbi organizimin e brendshëm të bankës dhe funksionimin e saj.

Sapo ka hyrë në ambientet e institucionit financiar, grabitësi, i pajisur me skafandër dhe pistoletë, ka kërcënuar rojën e sigurisë dhe e ka detyruar të qëndrojë në pjesën fundore të godinës. Më pas ka kapërcyer banakun e arkës dhe ka marrë paratë që ndodheshin në sirtarë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga banka, shuma e grabitur llogaritet në rreth 60 mijë euro. E gjithë ndërhyrja ka zgjatur vetëm tre minuta.

Ajo që e bën edhe më të pazakontë largimin e autorit është mjeti që ka përdorur për t’u arratisur. Pasi ka marrë paratë, ai është larguar me monopatinë elektrike, pa shkaktuar lëndime në njerëz dhe pa u ndaluar në momentin e largimit.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po analizon pamjet filmike dhe po kryen verifikime në disa drejtime për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Deri tani, personi i dyshuar nuk është identifikuar, ndërsa mbeten për t’u zbardhur mënyra e organizimit të grabitjes dhe itinerari që ai ndoqi pas largimit nga banka.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.