Vlora Hyseni nuk shkon në gjykatë, kërkon të shpëtojë nga arresti në shtëpi
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka zgjedhur të mos paraqitet personalisht në seancën gjyqësore ku po shqyrtohet ankimi i saj kundër masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Në vend të saj, në Gjykatën e Posaçme të Apelit është paraqitur avokati mbrojtës, Kastriot Selita, i cili do të përfaqësojë interesat e saj përballë trupës gjykuese.
Hyseni kërkon ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me shpresën për të mos vijuar më tej qëndrimin në arrest shtëpie. Seanca ishte parashikuar të zhvillohej të hënën, më 2 nëntor, por u shty për shkak të mungesës së prokurorëve të çështjes.
Ish-zyrtarja e lartë ndodhet nën hetim nga SPAK për dyshimet lidhur me veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku në qendër të hetimeve është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
508 komunikime me Ergys Agasin, çfarë dyshon SPAK?
Një nga elementet kryesore të hetimit janë kontaktet e shumta mes ish-drejtoreshës së SHISH-it dhe biznesmenit Ergys Agasi. Sipas të dhënave të bëra publike, SPAK ka administruar rreth 508 komunikime telefonike dhe përmes aplikacioneve të ndryshme, të regjistruara gjatë periudhës 28 qershor – 26 gusht.
Prokuroria dyshon se Hyseni ka ndarë me Agasin informacione të klasifikuara shtetërore, përfshirë edhe gjatë kohës kur biznesmeni ishte shpallur në kërkim.
Gjatë marrjes në pyetje, Hyseni ka pranuar komunikimet me Agasin, por ka mohuar çdo bashkëpunim me të, si dhe pretendimin se janë takuar fizikisht.
U vetëdorëzua pas vendimit të GJKKO-së, Rama e shkarkoi nga SHISH
Më 21 shtator 2026, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Vlorës Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga ushtrimi i detyrës ose shërbimit publik. Vendimi u mor me kërkesë të SPAK-ut, ndërkohë që në atë moment Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një aktivitet ndërkombëtar.
Më 22 shtator, ajo u kthye në Shqipëri dhe u vetëdorëzua pranë autoriteteve kufitare. Pas zhvillimeve, kryeministri Edi Rama njoftoi largimin e saj nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit.
Tre ditë pas caktimit të masës, më 24 shtator, GJKKO vendosi të lërë në fuqi arrestin në shtëpi. Hyseni kundërshtoi vendimin dhe iu drejtua Apelit të Posaçëm, ku tashmë kërkon ndryshimin e masës së sigurisë.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse ish-drejtoresha e SHISH-it do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie apo do të përfitojë një masë tjetër sigurie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



