E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse viti ‘97 është unik? Ben Blushi flet për “Historitë e çmendura të Tiranës”
Lajme

Pse viti ‘97 është unik? Ben Blushi flet për “Historitë e çmendura të Tiranës”

Shkrimtari Ben Blushi ka sjellë në vëmendje një prej episodeve më të dhimbshme dhe pak të njohura të historisë së Tiranës, duke rrëfyer një bombardim të vitit 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të cilin pretendon se shkaktoi rreth 500 viktima civile, mes tyre edhe fëmijë.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, Blushi tregoi se bombardimi u krye nga avionë britanikë dhe amerikanë, të cilët ishin nisur nga Italia drejt kryeqytetit shqiptar. Sipas rrëfimit të tij, dy prej pilotëve kishin konsumuar alkool, ndërsa sulmi përfundoi me një bilanc tragjik për popullsinë civile.

Shkrimtari theksoi se kjo ngjarje ka mbetur për dekada jashtë vëmendjes së publikut shqiptar, pavarësisht përmasave të tragjedisë. Ai përmendi si zonë të bombarduar hapësirën nga Rruga e Kavajës drejt Sheshit Skënderbej dhe deri te monumenti i Ushtarit të Panjohur.

Blushi u ndal edhe te konteksti historik i operacionit, duke thënë se forcat amerikane dhe britanike bashkëpunonin me Enver Hoxhën për të goditur trupat gjermane. Sipas tij, episodi përbën një nga ato pjesë të historisë që për shumë vite nuk janë trajtuar gjerësisht në kujtesën publike.

“Shqiptarët s’e dinin se ata që kemi aleatë, SHBA, në 1943 e kanë bombarduar Tiranën. Anglezë dhe amerikanë nisen nga Italia drejt Tiranës dhe, për fat të keq, dy prej pilotëve kishin pirë. Në qytetin e Tiranës janë vrarë 500 njerëz, mes tyre fëmijë. Ka dëshmitarë të kësaj masakre”, rrëfeu Blushi.

Në intervistë, autori foli edhe për librin e tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, një vepër që synon të sjellë për lexuesit episode, personazhe dhe periudha të ndryshme nga historia e kryeqytetit. Ai shpjegoi se ka dashur ta bëjë librin të kuptueshëm dhe tërheqës si për të rinjtë, ashtu edhe për lexuesit më të moshuar.

Një pjesë të veçantë të rrëfimit Blushi ia kushtoi edhe periudhës së komunizmit dhe trazirave të vitit 1997, të cilat i ka përjetuar personalisht në Tiranë, ku në atë kohë punonte në gazetën “Koha Jonë”.

Ai e cilësoi vitin 1997 si një periudhë të veçantë në historinë shqiptare, duke kujtuar atmosferën e pasigurisë dhe kaosit që mbizotëronte në kryeqytet.

“Vitin 1997 e kam jetuar si shtetrrethim në Tiranë, ku punoja te Koha Jonë. E di shumë mirë se çfarë katastrofe ishte. Ky është një moment interesant për ata që nuk e kanë jetuar. Viti 1997 është unik”, u shpreh shkrimtari.

100 personazhe dhe 400 vite histori në librin e ri

Në një tjetër pjesë të intervistës, Ben Blushi zbuloi më shumë detaje rreth strukturës së librit “Historitë e çmendura të Tiranës”, i cili përfshin rreth 100 personazhe, 38 kapituj dhe një hark kohor prej katër shekujsh.

Sipas tij, një nga arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë projekt ishte mungesa e botimeve të shumta mbi historinë e Tiranës, veçanërisht për periudhat më të hershme, për të cilat dokumentacioni arkivor është i kufizuar.

Blushi synon të rindërtojë rrugëtimin e qytetit, nga origjina e tij si një qendër e vogël me karakter oriental deri në shndërrimin në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ai kujtoi se themelimi i Tiranës lidhet me vitin 1614 dhe me emrin e Sulejman Pashë Bargjinit, ndërsa në libër ka përfshirë figura që kanë ndikuar në zhvillimin dhe historinë e qytetit.

Autori e ka konceptuar veprën me një strukturë që, sipas tij, i ngjan një seriali të platformës Netflix, ku secili personazh dhe episod përbën një histori më vete.

“Libri ka rreth 100 personazhe. Është i shkruar si një serial i Netflix. Jam përpjekur ta strukturoj, pasi kemi stresin se njerëzit lexojnë shumë pak. Ndaj libri është ndarë në 400 vite, 100 personazhe dhe 38 kapituj”, tregoi ai.

Me humor, shkrimtari foli edhe për marrëdhënien mes personazheve të librit dhe njerëzve që njeh personalisht. Ai tha se përfshirja në një vepër të tillë mund të shkaktojë pakënaqësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura që janë ende gjallë.

Blushi u shpreh se shpreson të mos humbasë një tjetër mik për shkak të këtij libri, duke shtuar se personazhet e tij janë ose njerëz që kanë ndërruar jetë, ose figura me histori të pazakonta.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.