E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Udhërrëfyesi i BE-së: Shqipëria mund t’i mbyllë në 2028-n
Lajme

Udhërrëfyesi i BE-së: Shqipëria mund t’i mbyllë në 2028-n

Komisioni Europian do të prezantojë të mërkurën, për herë të parë, një udhërrëfyes për përfundimin e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Dokumenti, i hartuar mbi bazën e raporteve të progresit për këto vende, do të paraqitet nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Udhërrëfyesi është finalizuar dhe ndodhet nën embargo, por u është vënë në dispozicion përfaqësive të katër vendeve në Bruksel. Detaje nga drafti për Shqipërinë i janë bërë të ditura gazetarit të Top Channel, Muhamet Veliu, nga një burim diplomatik që e ka parë dokumentin.

Sipas draftit, Komisioni do të vlerësojë se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Në pak më shumë se një vit janë hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave dhe janë përmbushur standardet e ndërmjetme për Grup-Kapitullin 1, atë të Themeloreve.

Megjithatë, Brukseli i kërkon Tiranës të mos e ngadalësojë ritmin e reformave dhe t’i kushtojë vëmendje jo vetëm shpejtësisë, por edhe cilësisë së tyre. Dokumenti paralajmëron se, ashtu si në vende të tjera të rajonit, polarizimi politik, kontrolli i dobët parlamentar dhe përdorimi i tepruar i procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve vijojnë të cenojnë cilësinë e qeverisjes demokratike.

Për sa i përket afateve, udhërrëfyesi parashikon që Shqipëria dhe Moldavia të mund të arrijnë fazën e mbylljes së negociatave në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028. Ukraina pritet t’i ndjekë deri në fund të vitit 2029.

Ky parashikim përputhet me objektivin e shpallur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se synon që negociatat për anëtarësim të përfundojnë drejt fundit të vitit 2027.

Ndërkohë, Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar. Në prezantimin e së mërkurës, Marta Kos pritet të theksojë se Podgorica është në rrugën e duhur për të përmbyllur negociatat brenda këtij viti dhe se përparimi i saj tregon që zgjerimi i BE-së mbetet një objektiv konkret dhe i arritshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.