U përplasën me policinë në protestë, lirohen dy aktivistët
Dritan Goxhaj dhe Edison Lika janë liruar mbrëmjen e kësaj të mërkure, pas disa orësh shoqërimi në ambientet e policisë, ku përfunduan pas përplasjeve me efektivët gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë.
Ngjarja ndodhi në momentin kur policia ndërhyri ndaj dy aktivistëve dhe u komunikoi gjoba për zhvillimin e një tubimi të konsideruar të paligjshëm. Goxhaj dhe Lika nuk pranuan të merrnin fletët e gjobave, duke kundërshtuar veprimin e uniformave blu. Situata u tensionua dhe ndërhyrja e policisë për t’i shoqëruar shkaktoi reagimin e protestuesve.
Protestueset krijuan gardh njerëzor për të penguar furgonin e policisë
Në përpjekje për të ndaluar largimin e dy aktivistëve, disa vajza u vendosën përpara furgonit të policisë, duke formuar një barrierë njerëzore. Përplasjet u shoqëruan edhe me përdorimin e sprajit me piper nga efektivët, ndërsa disa prej protestueseve shfaqën probleme shëndetësore dhe patën nevojë për ndihmë mjekësore.
Pas shoqërimit të Goxhajt dhe Likës, protesta u zhvendos nga Kryeministria drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës. Studentë dhe qytetarë u mblodhën përpara godinës, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Protestuesit kundërshtuan mënyrën e ndërhyrjes së policisë dhe vendosjen e gjobave, duke këmbëngulur se tubimi ishte i ligjshëm dhe se autoritetet ishin njoftuar paraprakisht për zhvillimin e tij në bulevard.
Pas disa orësh shoqërimi, të dy aktivistët janë lënë të lirë. Deri tani nuk ka një informacion të qartë nëse ndaj tyre do të ndërmerren procedura të tjera për incidentin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



