Falimentimi i bankës dixhitale, turma merr zvarrë politikanin në Paraguai
Kriza financiare në Paraguai ka nxjerrë mijëra qytetarë në rrugë, ndërsa zemërimi ndaj institucioneve dhe figurave politike është përshkallëzuar në përplasje fizike. Një incident i dhunshëm është regjistruar në kryeqytetin Asunción, ku ish-senatori dhe ish-kandidati presidencial, Paraguayo Cubas, është sulmuar nga protestuesit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 nëntorit, pranë Panteonit Kombëtar të Heronjve. Cubas u përball me kundërshtimin e turmës, e cila nuk e lejoi t’u bashkohej demonstratave, duke e akuzuar se po përpiqej të shfrytëzonte politikisht zemërimin e qytetarëve për krizën financiare.
Pamjet nga incidenti tregojnë momentin kur disa persona e kapin ish-politikanin nga duart dhe këmbët dhe e tërheqin me forcë jashtë turmës. Gjatë përplasjes, ndaj tij janë hedhur edhe vezë, ndërsa protestuesit e kanë shoqëruar largimin e tij me fyerje dhe akuza për oportunizëm.
Kriza bankare nxori në rrugë miliona qytetarë
Shkak për shpërthimin e pakënaqësisë është bërë kolapsi i bankës dixhitale Ueno, pas problemeve financiare dhe parregullsive të konstatuara nga Banka Qendrore, e cila ndërhyri për shkak të shqetësimeve mbi aftësinë paguese të institucionit.
Pas kësaj krize, rreth 2.9 milionë klientë mbetën pa akses në llogaritë dhe kursimet e tyre. Kjo shifër përfaqëson afërsisht 60% të popullsisë së rritur të Paraguait, duke e kthyer situatën në një krizë me pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe sociale.
Pakënaqësia nuk është drejtuar vetëm ndaj sektorit bankar. Në shënjestër të protestuesve ka përfunduar edhe presidenti Santiago Peña, për shkak të lidhjeve të mëparshme me kompaninë që kontrollonte bankën Ueno.
Demonstratat kanë vijuar në kryeqytetin Asunción dhe në qytete të tjera, ndërsa qytetarët kërkojnë rikthimin e aksesit në kursimet e tyre, transparencë mbi kolapsin financiar dhe përgjegjësi nga personat e përfshirë në këtë krizë.
Incidenti me ish-senatorin Paraguayo Cubas është një tjetër tregues i tensionit të lartë politik dhe social që ka përfshirë vendin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



