U qëlluan nga turisti gjerman, Skënder Hita viziton efektivët e plagosur
Dy efektivë të Policisë së Shtetit u plagosën gjatë një ndërhyrjeje në Malësinë e Madhe, pasi u sulmuan me thikë nga një turist gjerman, i cili më pas u arrestua. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë, ndërsa punonjësit e policisë po përpiqeshin të ndalonin të dyshuarin pas një incidenti me një automjet.
Sipas informacioneve, policia ishte vënë në lëvizje pas një njoftimi se turisti kishte hedhur benzinë mbi makinën e një qytetari dhe më pas kishte sulmuar me thikë efektivët që ndërhynë për ta neutralizuar. Gjatë përballjes, dy punonjësit e policisë mbetën të dëmtuar, ndërsa autori i dyshuar u vu në pranga.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili këtë të shtunë ka takuar dhe vlerësuar dy inspektorët, Hilmi Smajlaj dhe Samet Bajri.
Hita u shprehu mirënjohjen për guximin dhe përkushtimin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se veprime të tilla forcojnë edhe besimin e qytetarëve te uniformat blu.
Vizitë edhe efektivit të plagosur gjatë protestës në Shkodër
Gjatë qëndrimit në Shkodër, kreu i Policisë së Shtetit vizitoi edhe në banesën e tij nënkomisarin Fasli Rama, i cili ka më shumë se 30 vite shërbim në radhët e policisë.
Efektivi mbeti i plagosur në kokë pasi u godit me një objekt metalik gjatë protestës së zhvilluar në Shkodër.
Gjatë takimit, Skënder Hita vlerësoi praninë dhe qëndrimin e tij në terren, duke nënvizuar se detyra e policisë nuk ishte kundër qytetarëve apo protestës paqësore, por garantimi i së drejtës për të protestuar dhe mbrojtja e institucioneve dhe pronës publike e private nga aktet e dhunës.
Rasti i dy policëve të sulmuar në Malësinë e Madhe dhe plagosja e nënkomisarit Fasli Rama gjatë protestës në Shkodër kanë rikthyer vëmendjen te rreziqet me të cilat përballen efektivët gjatë ushtrimit të detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



