Alarm në Lushnjë! Uji në rubinet del me ngjyrë dhe erë të rëndë
Pas problematikave të raportuara me furnizimin me ujë të pijshëm në Vlorë, një tjetër denoncim vjen nga Lushnja, ku banorët e lagjes “Xhevdet Nepravishta” përballen me ujë të turbullt, me ngjyrë të errët dhe erë të rëndë.
Pamjet janë publikuar nga deputeti Saimir Korreshi, i cili ka ngritur shqetësimin për cilësinë e ujit që mbërrin në banesat e qytetarëve. Sipas tij, problemi nuk është i ri, pasi situata është denoncuar disa herë, por deri më tani nuk ka pasur një zgjidhje konkrete.
Korreshi ka zgjedhur edhe këtë herë ironinë për të kritikuar institucionet përgjegjëse, duke e krahasuar situatën me hapjen e një parfumerie në çdo rubinet të qytetit.
“Bashkia na ka hapur ‘parfumeri falas’ në çdo rubinet, me erë të rëndë që të merr frymën. Është denoncuar disa herë”, është shprehur deputeti, duke vënë në dukje mungesën e një reagimi që të zgjidhë shqetësimin e banorëve.
Sipas denoncimit, ky nuk është rasti i parë që qytetarët e Lushnjës raportojnë probleme me ujin që furnizon banesat e tyre. Përsëritja e rasteve ngre pikëpyetje mbi cilësinë e shërbimit dhe kontrollet që duhet të garantojnë sigurinë e ujit për konsum.
Deri në momentin e publikimit të këtij denoncimi, nuk bëhet e ditur nëse institucionet përgjegjëse kanë kryer analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e ndryshimit të ngjyrës dhe erës së ujit. Përgjigjja zyrtare dhe sqarimi i situatës mbeten të domosdoshme për banorët, të cilët paguajnë për një shërbim që duhet të përmbushë standardet e sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



