Skandal te Onkologjiku, anulohen operacionet e pacientëve me tumor
Një denoncim i gazetarit Osman Stafa ka ngritur shqetësime serioze për situatën në Spitalin Onkologjik në Tiranë, ku ndërhyrjet kirurgjikale për pacientët me tumore dyshohet se janë anuluar për shkak të mungesës së materialeve bazë mjekësore.
Sipas denoncimit, disa pacientë që kishin pritur për muaj të tërë për të kryer operacionin janë paraqitur në spital në datën e planifikuar, por nuk kanë mundur t’i nënshtrohen ndërhyrjes. Arsyeja që u është komunikuar, sipas familjarëve, ka qenë mungesa e mjeteve të nevojshme në sallën e operacionit, konkretisht e fijeve kirurgjikale që përdoren për qepjen e plagëve pas ndërhyrjes.
Një prej qytetareve të kontaktuara nga gazetari ka rrëfyer se nëna e saj kishte një operacion të planifikuar, por familja është detyruar të largohet nga spitali pa u kryer ndërhyrja. Ajo thotë se nuk bëhej fjalë për një rast të izoluar, pasi edhe pacientë të tjerë, të cilët ishin paraqitur për operacion, janë kthyer në shtëpi për të njëjtën arsye.
“Kur shkuam aty me të gjithë dokumentacionin e plotësuar, na thanë që nuk ka mjete të duhura në sallën e operacionit dhe na kthyen mbrapa. Ishin disa pacientë, jo vetëm ne, janë kthyer të gjithë mbrapsht për mungesë pajisjesh në sallë”, ka treguar qytetarja.
E pyetur për arsyen konkrete të anulimit, ajo ka konfirmuar se familjes i ishte komunikuar mungesa e fijeve kirurgjikale për mbylljen e plagës. Ndërsa për të ardhmen e ndërhyrjes, familjarja shprehet se nuk ka marrë një përgjigje të qartë dhe se nuk di se kur do të mund të kryhet operacioni.
“Duke u anuluar ato operacione atë ditë, bie që do të shtyhen edhe për shumë kohë të tjera në vazhdim”, është shprehur ajo, duke ngritur shqetësimin për pasojat e pritjes së mëtejshme.
Denoncimi ka sjellë në vëmendje një problem veçanërisht të ndjeshëm, pasi bëhet fjalë për pacientë që po përballen me sëmundje tumorale dhe që kanë nevojë për trajtim në kohën e duhur. Çdo shtyrje e ndërhyrjeve kërkon vlerësim mjekësor dhe një plan të qartë për vijimin e trajtimit.
Gazetari Osman Stafa e ka cilësuar situatën si një skandal të rëndë, duke vënë në pikëpyetje mungesën e furnizimeve elementare në një spital ku trajtohen pacientë me sëmundje të rënda. Ai ka kritikuar kontrastin mes shpenzimeve publike për aktivitete dhe projekte të tjera dhe pamundësisë së pretenduar për të siguruar materiale të domosdoshme për ndërhyrjet kirurgjikale.
Gjatë bisedës telefonike, qytetarja ka shprehur gjithashtu indinjatën e saj për kushtet në sistemin shëndetësor, duke thënë se mungesa e shërbimeve bazë është një nga arsyet që i shtyn njerëzit të largohen nga Shqipëria.
“Është gjëja më absurde që mund të ekzistojë. Pastaj pyesin veten pse largohen njerëzit nga Shqipëria, kur nuk ka kushte minimale për këto raste e për shumë të tjera”, ka deklaruar ajo.
Në fund të bisedës, Stafa është shprehur se publikimi i denoncimit synon të tërheqë vëmendjen ndaj problemit dhe të nxisë zgjidhjen e tij, në mënyrë që pacientët të mos mbeten në pritje për shkak të mungesës së materialeve mjekësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



