Pas 48 të lënduarve në protestën e 28 Nëntorit, studentët rikthehen sot në shesh kundër Ramës
🇬🇧 Read in EnglishTirana pritet të përjetojë një tjetër ditë proteste kundër qeverisë së Edi Ramës. Pas përplasjeve të forta të 28 Nëntorit, qytetarët dhe studentët rikthehen sot në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kërkesën për largimin e kryeministrit.
Tubimi është njoftuar për orën 10:00, ndërsa kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara: dorëheqja e Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Protesta e sotme vjen pas një dite të gjatë tensionesh, ku manifestimi i organizuar në Ditën e Pavarësisë u shoqërua me përplasje të ashpra mes qytetarëve dhe forcave të policisë. Mijëra protestues nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë nga diaspora, iu bashkuan tubimit të 28 Nëntorit.
Nga marshimi te përplasjet me policinë
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola.
Situata u përshkallëzua kur policia nuk lejoi grumbullimin e qytetarëve përpara godinës së Kryeministrisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa nga ana e protestuesve pati kundërpërgjigje me gurë dhe molotovë.
Përplasjet vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u zhvendosur më pas në sheshin “Skënderbej”. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Tensionet vazhduan edhe pas përfundimit të tubimit, kur efektivët ndërhynë ndaj qytetarëve që kishin mbetur në sheshin “Skënderbej”, duke kryer shoqërime.
Bilanci i protestës së 28 Nëntorit ishte 48 persona të lënduar, mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë, të cilët morën ndihmë mjekësore.
Ngjarjet u pasqyruan edhe nga mediat ndërkombëtare, duke e çuar situatën politike në Shqipëri në vëmendjen e opinionit publik jashtë vendit.
Ndërsa protestat vijojnë prej muajsh, kërkesat e lëvizjes janë përqendruar te akuzat për korrupsion, largimi i kryeministrit dhe ndryshimi i mënyrës së qeverisjes.
Protesta e sotme pritet të jetë një tjetër provë për mobilizimin e qytetarëve, pas përplasjeve të forta që shoqëruan manifestimin e Ditës së Pavarësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



