E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarm, “erozioni” i shqiptarëve, qindra mijëra braktisin vendin
Lajme

Alarm, “erozioni” i shqiptarëve, qindra mijëra braktisin vendin

Zvogëlohet popullsia e Shqipërisë. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e fundit, nga të cilat rezulton se më 1 janar 2018, popullsia e vendit tonë është 2.870.324 banorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, popullsia ka rënë me 0.2 %. Në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë. Të dhënat e fundit tregojnë se struktura e popullsisë sipas gjinisë është 1.438.609 burra dhe 1.431.715 gra. Pakësimi i popullsisë ka ndodhur për shkak të uljes së lindjeve, por edhe emigrimit.

Instituti i Statistikave vlerëson se gjatë vitit 2017, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) është 8.637 banorë, duke pësuar një rënie prej 16.5 % krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që 14.902 është numri i shqiptarëve të larguar jashtë vendit. “Në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona”, theksohet në raportin e INSTAT-it.

Një tjetër e dhënë shqetësuese, e publikuar nga Instituti i Statistikave është pakësimi i numrit të të rinjve. Sipas INSTAT-it, në vitin 2017, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i personave në moshë 0-14 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç) ka shënuar një rënie në krahasim me vitin 2016, nga 26.7 % në 26.0 %. Ndërkohë që raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i personave në moshë 65+ vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15- 64 vjeç) ka pësuar një rritje nga 18.9 % në 19.4 % gjatë së njëjtës periudhë. Raporti gjinor në lindje ka pësuar një rritje, duke shënuar vlerën 110.5 djem për 100 vajza, në vitin 2017, nga 106.9 që ishte në vitin 2016. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar një rënie, duke shënuar vlerën 101,3 burra për 100 gra në vitin 2017 nga 102.5 që ishte në vitin 2016. INSTAT konstaton se në vitin 2017, mosha mestaare e popullsisë rezulton 35 vjeç.

Në Shqipëri po ndodh fenomeni i plakjes së popullsisë, cka është një lajm jo i mirë për vendit. Kjo për shkak të pakësimit të lindjeve dhe rritjes së vdekjeve. Instituti I Statistikave vlerëson se gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2.7 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3.9 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë është 8.637 persona.

Nga përllogaritjet e popullsisë në 1 Janar 2018 rezulton se vetëm tri qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj. Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+25.1 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16,9 për 1000 banorë) dhe Vlora (+2,15 për 1000 banorë). Uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-45,3 për 1000 banorë), Dibër (-36,6 për 1000 banorë) dhe Berat (-34,2 për 1000 banorë). INSTAT e vlerëson popullsinë banuese duke u nisur nga censusi i vitit 2011 dhe duke marrë parasysh lindjet, vdekjet dhe një vlerësim për flukset migratore të ndodhura që nga cencusi i fundit. Realiteti i flukseve migratore mund të jetë më i ulët ose më i lartë se sa vlerësimi.

Nëntë nga 12 qarqet e Shqipërisë pësuan rënie të popullsisë, ku Gjirokastra, Dibra e Berati pësuan rëniet më të mëdha. Popullsia e Qarkut Tiranë ka pësuar rritje në masën 25.1 për mijë banorë ndërsa Qarku i Durrësit u rrit me 16.9 për mijë banorë. Edhe Qarku i Vlorës njohu një rritje minimale prej 2.15 banorë për mijë. Pas një përmirësimi të vockël gjatë viteve të mëparshme, raporti gjinor në lindje u përkeqësua sërish më 2017 në 110.5 djem për vajza. Shqipëria ka një problem të vazhdueshëm me numrin më të lartë të foshnjave meshkuj, gjë që sugjerohet se ndodh për shkak të abortit selektiv të vajzave. Gjendja natyrore e raportit meshkuj-femra në lindje është 105 djem për vajza ndërsa në Shqipëri që nga fillimi i viteve ’90 ky raport ka qenë 106-114 djem për vajza.

Mosha mesatare në e popullsisë shqiptare sipas vlerësimit të INSTAT në vitin e kaluar ishte 35 vjeç. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë është mbi këtë moshë dhe gjysma nën 35 vjeç. Pema e Popullsisë, grafiku që vendos në njërën anë meshkujt dhe në anën tjetër femrat sipas grupmoshave vijon të jetë në formën e njohur nga demografët si “molla e kafshuar” ku numri i fëmijëve është i ulët, pasuar nga një brez më i gjerë në moshat 20-30 vjeç që ngushtohet më tej në moshat 30-40 vjeç për shkak të “kafshimit” nga emigrimi masiv i të rinjve në vitet 1990 dhe që zgjerohet më tutje në moshat 50-65 vjeç.

Po pasojat?

Ekonomia do të vuajnë pasojat në disa drejtime dhe jo vetëm sot, duke filluar nga tregu i punës, te kontributi në skemën e pensioneve e deri tek e ardhmja e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Këto janë shifra shumë të rrezikshme për vendin, të cilat kanë efekte direkte dhe afatgjata. Një efekt të drejtperdrejtë e ka rënia e numrit të të rinjve me rreth 2.61%, e cila ndikon direkt në tregun e punës. Nga ana tjetër, përkeqësimi me pothuajse të njejtat ritme (2.64%) të raportit të varësisë së të moshuarve ka ndikim në pensionet, pasi kështu siç janë shifrat, edhe pa përkeqësimet e vitit te fundit, ky raport ka shumë problem. Në këtë mënyrë, reforma e famshme e pensioneve do të duhet të rishikohet edhe një herë tjetër.

Emigracioni, jo vetëm që ka direkt ndikim në tregun e punës, por edhe në politikat e pensioneve sepse këta që largohen janë kontribuesit realë ose potencialë në fondet përkatëse. Nga ana tjetër, këta janë edhe personat që zotërojnë aftësi, mundësi dhe shpirt sipërmarje, duke qenë se kanë marrë përsipër t’i ekspozohen tregjeve të huaja të punës. Problematika që përcjell raporti ndahet në dy kategori: e para, me efekt në të tashmen dhe e dyta, me efekt në të ardhmen. Problem aktual përben fakti që nga viti në vit, raporti i mbulimit të moshës jashtë pune (64+ vjeç) sa vjen e ulet. Pra, gjithnjë e më shumë numri i personave në moshë pune që mbulojnë persona jashtë moshes së punes sa vjen e ulet. Ky është një problem që ka nje efekt aktual, kryesisht në skemen e pensioneve dhe të ardhurave personale.

Problem që do t’i japë efektet në të ardhmen e afërt është fakti që lindjet e reja kanë një trend ulës, shqetesues. Kalimi nga rreth 45.000 lindje të reja në fund të viteve ’90, në afro 30.000 lindje të reja në 2017, është dramatike. Nëse situatës i shtojmë dhe të dhënat e emigracionit, atëherë situata kthehet në shumë dramatike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.