Rama : Shqipëria pa opozitën ky është atdheu që duam
Në monologun e përjavshëm në Facebook për ndjekësit e tij, Rama përshkroi si do të jetë Shqipëria pa opozitën. Sipas tij, shqiptarët do të jetojnë në një shtet dinjitoz, ndërsa politika do të ketë më pak zhurmë e sherre. Rama e përshkroi këtë lloj politike si diçka të mirë. Pas 18 Qershorit vendi hyn në atë që Rama e quan Cikli i Ri.
“Shqipëria që kemi do hyjë në një cikël të ri, politik, ekonomik dhe social dhe shqiptarëve do t’u hapen shtigje e rrugë të reja për të bërë ekonomi, për të krijuar mirëqënie e për të jetuar në një shtet dinjitoz këtu, në atdheun e tyre. Vetë politika do të ndryshojë, do të adaptohet me kushtet e reja të ciklit të ri, do të marrë një trajtë dhe përmbajte të re. Duke folur besoj më pak për vete e më shumë për njerëzit. Duke bërë më pak zhurmë e sherr kacafytës brenda vetes e duke bërë më shumë punë e të mira për Shqipërinë që duam”.
Edi Rama nuk e përmendi protestën e opozitës në 13 Maj. Nuk përmendi as vizitën e zyrtarit të lartë amerikan që vjen në Tiranë javës tjetër për krizën politike. Kryeministri foli për flamurin kuqezi, përmendi Ismail Qemalin dhe Skënderbeun, ndërsa paralajmëroi se në votimin e parë të parlamentit të ri do të zhbllokohet vetingu.
“Parlamenti i ri, pa PD menjëherë pas formimit të qeverisë së re, do të zhbllokojë vetingun në votimin e tij të parë të legjislaturës së ardhshme” u shpreh kryeministri, që përveç të tjerave premtoi se do të bëjë atë që do të kishin bërë të gjithë ata që luftuan që ta shihnin Shqipërinë “zonjë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



