Meta thellon përplasjet me Ramën/ Dekreton emërimin e 2 ambasadorëve, por bllokon kreun e ri të SHISH, socialistët shpërthejnë në akuza
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thelluar dje përplasjet me kryeministrin Edi Rama. Teksa akuzat ndaj njëri-tjetrit kanë nisur që kur LSI u shndërrua në ish-aleaten e PS në pushtet, pas marrjes së detyrës si president, Meta i vijoi “provokimet” në një mënyrë disi më të heshtur. Kreu i shtetit ka vendosur të dekretojë emërimin e dy ambasadorëve, por nga ana tjetër ka lënë në “harresë” propozimin e Edi Ramës për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.
Në faqen zyrtare të Presidencës bëhet me dije se Meta ka dekretuar si ambasador Ferit Hoxhën dhe Ravesa Lleshin. “Presidenti Meta dekreton emërimin e zotit Ferit Hoxha, ambasador pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident. Presidenti Meta dekreton emërimin e zonjës Ravesa Lleshi, ambasadore në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezidente”, thuhet në njoftimet e Presidencës. Por për Helidon Bendon nuk ka akoma asnjë lëvizje, teksa para pak kohësh kreu i shtetit u shpreh se dëshiron të marrë të gjithë kohën e nevojshme për të kryer të gjitha verifikimet. Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës, procesi për dekretimin e Bendos ka ngrirë dhe Meta mund të mos marrë asnjë vendim.
Duket se Ilir Meta përmes këtyre lëvizjeve po i dërgon sinjale kreut të ekzekutivit dhe po provokon përplasje, pasi kjo nuk është hera e parë që Meta vendos dekretime. Madje ai dekretoi edhe ish-kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika si ambasador në NATO, por nuk u kujtua për Bendon. Po ashtu, një tjetër çështje që pritet të shkaktojë përplasje mes Metës dhe Ramës është edhe pakti i detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo pasi qeveria duhet të marrë plotfuqinë nga Presidenca për këtë çështje, por deri tani nuk ka patur asnjë kontakt zyrtar mes tyre. Sakaq, vetë Presidenca është ankuar publikisht për mungesën e konsultimeve.
Irritohet PS
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste u shfaqën të irrituar dje pas vendimit të Metës për të dekretuar emërimin e dy ambasadorëve, por për të mos bërë asnjë lëvizje për Helidon Bendon. I kontaktuar nga gazeta, deputeti i PS Bujar Çela deklaroi se Meta nuk mund ta dekretojë kreun e SHISH sepse do të ishte njësoj sikur të dëmtonte veten me dorën e tij.
Duke e vënë theksin tek lidhja që ka Ilir Meta me krimin dhe korrupsionin, Çela i kujtoi kreut të shtetit se pavarësisht vendimit të tij, Bendo i ushtron të gjitha detyrat e kryetarit. “Ai është presidenti jonë i famshëm, nuk ka si të ndahet dot nga babai i tij shpirtëror, Sali Berisha. Ata janë të lidhur me shumë vepra të rënda korrupsioni ose edhe krimi. Por unë po bëj një pyetje retorike.A ndodh ndonjëherë që pula të mprehë thikën për të prerën kokën e saj?! Kështu që ai nuk mund të dekretojë Helidon Bendon, por bën presione me anë të atij mekanizmi që i ka lënë Kushtetuta në dorën e presidentit, si kreu i shtetit.
Por në fakt ai është kreu i atyre që janë brenda dhe jashtë dhe presin radhën e ekzekutimit, i cili është për kokat e krimit dhe korrupsionit. Dekretimi i ambasadorëve është shou i radhës, për t’i dhënë rëndësi vetes. Por Bendo mund të rrijë sa t’i dojë qejfi nënkryetar me të drejtat e kryetarit, punë e madhe se nuk ka firmën e Ilir Metës, njëlloj sikur Skënderbeu ishte udhëheqës i shqiptarëve, por asnjëherë nuk u pagëzua si mbret i Shqipërisë”, tha Bujar Çela.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



