Borxhi arrin në 69.92% të PBB-së më 2017
Borxhi shtetëror ra për të dytin vit radhazi më 2017, duke e mbyllur vitin me 69.92% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, borxhi shtetëror ra në total me 2.44 pikë përqindje në raport me 2016, por gjithsesi detyrimet shtetërore janë më të lartat në rajon.
Në vlera neto, borxhi u rrit me 21,6 miliardë lekë (162.6 mln euro) në vitin 2017, duke arritur mbi 1 trilion lekë.
Rënia e borxhit erdhi për dy arsye themelore. Së pari, rënia e normave të interesit si në tregun e jashtëm dhe atë të brendshëm dhe së dyti, kursi fiskal i qeverisë që ndoqi një politikë të moderuar në shpenzime duke ruajtur deficitin primar.
Norma mesatare e interesit të borxhit shënoi ulje me 0.41 pikë përqindje më 2017 në raport me vitin pasardhës. Nga 2.46% që ishte norma mesatare e interesit në vitin 2016, më 2017 ra në 2.05%. Interesi më i lartë u dha për borxhin e brendshëm me një mesatare prej 1.38%, teksa interesi mesatar i borxhit të jashtëm ishte 0.75%.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave synon të ruajë balancën primare në 0.6% të PBB-së edhe për vitin 2017, por të dhënat fiskale në lidhje me këtë tregues ende nuk janë publikuar.
Në mënyrë që Shqipëria të stabilizojë borxhin publik të vendit në termat 60% të PBB-së deri në vitin 2021, Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandoi se fundmi se, Shqipëria duhet të përdorë si levë për uljen e borxhit deficitin primar si spirancë fiskale.
Masa e deficitit primar prej 1.5% të PBB-së (deficiti pa përfshirë shpenzimet për interesat e borxhit), nivel ky që do të sjellë raportin e borxhit publik nën 60% të PBB-së deri në vitin 2021 dhe në 45% e PBB-së deri në vitin 2026. Por qeveria shqiptare është larg këtij objektivi, teksa në vitin 2017 parashikon që suficiti primar të jetë rreth 0.7% e PBB-së, më pak se gjysma e normës që synon të ulë borxhin sipas parashikimeve.
Ky skenar, sipas Fondit, supozon një reformë tatimore, e cila mundëson mbajtjen e bilancit primar 1.5% të PBB-së në periudhën afatmesme. Teprica primare me 1.5% të PBB-së është gjithashtu e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e nevojshme nga rritja e interesave të borxhit dhe presionet mbi likuiditetin.
Por FMN rekomandon se fokusi i qeverisë duhet të zhvendoset edhe në masat fiskale që janë të qëndrueshme për rritjen ekonomike dhe jo vetëm në objektivat e suficitit primar. Për shembull, reformimi i sistemit tatimor, për të rritur elasticitetin e të ardhurave në raport me PBB-në, duhet të jetë në fokus.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



