EMRI/ Aksidenti i Audi-t që zbuloi drogën, arrestohet kuksiani
Policia e Lezhës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku nga një aksident rrugor u zbulua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Përplasja e dy automjeteve ndodhi mbrëmjen e së hënës në Rrugën e Kombit, në afërsi të Milotit, shkruan “Panorama”.
Zbulimi i lëndës narkotike, i llojit kanabis sativa, ka qenë i rastësishëm, ku pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, oficerët panë të përhapur në rrugë lëndë narkotike.
Sipas Policisë, në cilësinë e provës materiale janë bllokuar 50 kg e 730 gram lëndë narkotike e llojit canabis sativa, ndërsa është arrestuar në flagrancë Fadil Tershalla, 25 vjeç nga Kukësi, si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit H.S., B.C. dhe L.H., përkatësisht dy prej tyre 24- vjeçarë dhe një tjetër 41 vjeç banues në Gostil, Kukës.
Pas aksidentit, tre personat arritën të largohen nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar Policisë. Sipas burimeve, destinacioni i lëndës narkotike ka qenë qyteti i Kukësit, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbuluar aktivitetin e këtij grupi që merrej me trafikimin e drogës.
Zbulimi i lëndës narkotike ishte krejt rastësisht për Policinë e Lezhës, e cila kishte shkuar në vendin e ngjarjes pas përplasjes së dy automjeteve. Sasia e drogës ishte e paketuar në bagazhin e automjetit tip “Audi” me targa AA778FY, i drejtuar nga Fadil Tershalla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



