E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shega sa shumë sëmundje  kuron!
Publik News

Shega sa shumë sëmundje kuron!

Shega kuron sëmundjet e zemrës, tensionin, arterosklerozën, kancerin e prostatës, heq rrudhat, njollat në lëkurë ….

Shega me të drejtë mund të konsiderohet si një thesar për organizmin tonë. Kokrrat e saj janë të pasura me vitaminë A, B, ndërsa plotëson rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë C. Hipokrati e cilësonte si ilaçin më të mirë për gripin, ndërsa egjiptianët e katërmijë viteve më parë tregonin se kishin zbuluar vetitë terapeutike të lëngut të saj.

Në Evropë, në fillim të shekullit XIX, lëkura e shegës përdorej shumë për të kuruar tenjën dhe në të vërtetë analizat e kohëve të fundit kanë treguar se për virtytet që të parët tanë i atribuonin asaj, kishin plotësisht të drejtë.

Lëngu i shegës mund të quhet edhe ilaç i çmuar për zemrën. Sipas një studimi izraelit, pirja e një gote me lëng shege çdo ditë do të parandalonte në formimin e pllakëzave në enët e gjakut, duke ulur kështu rrezikun për t‘u prekur nga arterosklerozat. Autorët e këtij studimi shpjegojnë gjithashtu se efektet e lëngut varen nga aftësia e organizmit për të përthithur dy gjene që aktivizohen nga substanca oksiduese, të cilat forcojnë muret e enëve të gjakut. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmojnë për aktivizimin e substancave oksiduese.

Vetitë e saj magjike nuk mbarojnë këtu. Shkencëtarët, pas studimit, zbuluan se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjaku. Për më tepër, ata vërtetuan se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminën C. Po ashtu, një tjetër studim i bërë nga “Jonsson Cancer Center”, në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, ka zbuluar se të pish çdo ditë një gotë lëng shege ndihmon edhe në ngadalësimin dhe përhapjen me shpejtësi të kancerit të prostatës. “Është shumë shpejt për t‘i këshilluar pacientët të pinë lëng shege për t‘u shëruar, por në mund të themi me siguri se ndihmon që sëmundja të mos përparojë shpejt”, thotë Allan Pantuck, autor i studimit. Statistikat e dala janë akoma provizore, megjithatë shega u zgjodh nga kërkuesit, falë përmbajtjes së lartë të antioksiduesve dhe polifenoleve, si frutë që ka substanca me veti mbrojtëse për organizmin.

Sigurisht që asnjë nga kërkuesit nuk mendon se lëngu i shegës mund të përfaqësojë një kurë kundër kancerit të prostatës. Por ai ka një domethënie të madhe për të vonuar ose parandaluar nevojën për terapi të tjera shtesë, që japin efekte anësore si për shembull lodhje, depresion dhe impotencë”, përfundon Pantuck.

Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe ndihmon në tretjen e ushqimit. Me shumë sukses përdoret edhe në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit.

Ai mund të përdoret edhe për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës. Lëkura e saj, e pasur me taninë, akoma edhe sot përdoret në Afrikën e Veriut si ilaç për diarrenë. Në Lindje përdoret edhe si mjet për të ngjyrosur lëkurat.

Historia

Emrin e saj mban qyteti i bukur në Andaluzi, Granada, ndërsa ndër mijëvjeçarë është konsideruar si simbol i pjellorisë, bollëkut, mirësisë dhe jetëgjatësisë. Nuset e reja romake i ndërthurnin me flokët degët e saj, sidomos në ditën e dasmës, ndërsa turket e hidhnin në tokë dhe në varësi të kokrrave që do të binin, supozohej se do të ishte edhe numri i fëmijëve që do të sillnin në jetë, traditë kjo që vazhdojnë ta ruajnë edhe sot. Në Dalmaci ishte zakon që dhëndri të merrte nga kopshti i vjehrrit një peme shege, për ta mbjellë në kopshtin e tij. Për grekët e lashtë shega konsiderohej si një frutë i shenjtë, por edhe në kohët e sotme moderne ajo vazhdon të ketë një domethënie të madhe për grekët.

Në ditët e rëndësishme të kalendarit ortodoks grek, si për shembull për Krishtlindje apo Pashkë, në disa zona të Greqisë është traditë që në tavolinën e mbushur plot në darkë të ketë edhe shegë. Në kohët e hershme ato u dhuroheshin Zotave, që t‘u dhuronin më shumë pjellori tokave, për të qetësuar shpirtin e të vdekurve dhe për nder të Dionisit. Po ashtu, shegët përdoren gjerësisht dhe në dasmat dhe funeralet greke. Kur grekët përkujtojnë një të vdekur, ata shpërndajnë “kollyva”, që përgatitet me grurë të zier, i përzier me sheqer dhe i zbukuruar me shegë. Po ashtu, në Greqi është traditë që ditën e dasmave apo për Vit të Ri, të çahet një shegë në tokë. Gjithashtu, kur dikush blen një shtëpi të re, është traditë që personi, i cili shkon për vizitë, të çojë si dhuratë një kokërr shegë, si simbol i begatisë, pjellorisë dhe fatit të mirë. Shega konsiderohet edhe si simbol i ringjalljes dhe dashurisë së zjarrtë. Jo rastësisht piktorët e shekullit XV dhe XVI vinin shpesh një shegë në duart e Jezusit fëmijë, duke aluduar për jetën e re “të dhuruar” nga Krishti, ndërsa pemën e saj e përdornin si simbol të ringjalljes.

Prejardhja

Edhe pse vendi i lindjes së saj është Azia, shega është kultivuar në të gjithë rajonin e Mesdheut, Kaukaz dhe Lindjen e Largët prej shekujsh. E pasur me vitamina dhe prej mijëvjeçarësh burim shpëtimi për popujt e territoreve të thata të Azisë, është konsideruar si mbreti i frutave për shijen e veçantë dhe ngjyrën e bukur. Edhe pse frutat e saj mund t‘i shijojmë vetëm në vjeshtë, shega përdoret edhe me qëllim zbukurimi në kopshtet e zonave të ngrohta. Lulet e saj mund të përdoren edhe për të dekoruar tavolinat dhe pjatancat e ndryshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.