Ne Vore, Partia Demokratike ka vendosur qe te jene deputetet e Tiranes me ne krye liderin e opozites, Lulzim Basha.
Ne rrethrrotullimin e Milotit do te jene deputetet e qarqeve te Veriut, ne Elbasan deputetet e kesaj zone me ne krye kyetaren e LSI-se, Monika Kryemadhi, ndersa ne Çerme te Lushnjes, deputetet e Jugut dhe Durresit me ne krye Enkelejd Alibeajn.
Një vendim të tillë, opozita e bashkuar e mori menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Kukësit për të lënë në burg 11 prej të ndaluarve në protestën e Rrugës së Kombit. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, thirri në një mbledhje urgjente opozitën e bashkuar ku edhe u përcaktua strategjia që do të ndiqet në protestat e ditës së sotme. Sipas Bashës, regjimet që u kundërvihen interesave publikë, rrëzohen.
“Regjimet të cilat i kundërvihen interesit publik, regjimet që përdorin dhunën dhe forcën kundër njerëzve, janë vetëm hapa rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e nënshtron dot, nuk e privatizon dot. Ne do të jemi aty, siç kemi qenë sot në krahë të qytetarëve të pafajshëm kuksianë. Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga qytetarët që janë larguar nga ndihma ekonomike. Një popull i bashkuar, që do t’i rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, është garancia se kjo diktaturë dhe tirani e krimit, i ka orët e numëruara”, tha Basha.
BLLOKIMET
Deputetët e opozitës nuk do të paraqesin asnjë kërkesë në rajonet e Policisë për rrugët që do bllokohen, pasi, sipas tyre, janë qytetarët ata që e organizojnë bllokimin e akseve kombëtarë dhe deputetët që e mbështesin. Burime nga selia blu bëjnë me dije, se protestat e opozitës do të përqendrohen në katër akse kryesore ku edhe është e përqendruar edhe lëvizja më e madhe e mjeteve.
Kështu nga ora 10:00 deri në orën 13:00 do të bllokohet kryqëzimi i Milotit që lidh Tiranën me Shkodrën dhe njëkohësisht edhe Rrugën e Kombit me kryeqytetin. Në të njëjtin orar do të jetë i pakalueshëm për mjetet edhe kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, që do të paralizojë lëvizjen në Jug të vendit.
I bllokuar do të jetë edhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan dhe kryqëzimi i Vorës në Tiranë. Në çdo protestë do të ketë përfaqësues të opozitës, ndërkohë që pritet që kreu i PD-së, Lulzim Basha, të jetë në protestën që do të organizohet në Vorë. Protestat e opozitës janë parashikuar në një orar që normalisht do të duhet të zhvillohet seancë plenare në Parlament.
Përmes një kërkese, deputetët e Partisë Demokratike i kanë kërkuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të shtyjë seancën plenare në orën 18:00.



