E shkarkoi nga detyra, por ja çfarë i thoshte në janar Arta Marku Hajdarmatajt
Kryeprokurorja Arta Marku ka larguar nga detyra kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmatajn. Burimet thanë se në vend të Hajdarmatajt është komanduar prokurorja Donika Prela.
Hajdarmataj ishte prokurori qe kishte në dorë hetimin e dosjes “Habilaj-Tahiri”. Shkarkimi i tij erdhi vetëm një ditë pasi mori në pyetje ish-shoferin e ministrit Gentian Ceka.
Por ndërkohë, pak muaj më parë Arta Marku mbështeti hetimet tërësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çdo çështje e në çdo nivel, kundër krimit dhe korrupsionit.
Zonja Marku i dha mbështetjen kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj kur e priti në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen më 22 janar 2018.
Marku kërkoi që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara. Kryeprokurorja Marku garantoi bashkëpunim për hetime të vazhdueshme të çështjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj kujtdo që shkel ligjin.
Prokuroria e Përgjithshme ritheksoi mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet ndërsa pohoi se vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen me sukses të detyrave përputhshmërisht me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



