Dy fjalë për Valbonën e plagosur që villte “gjak” të pisët si Lana

LARG BYTHËS SIME
Isha këto ditë në Valbonë. Më mirë të mos kisha vajtur. As në ëndrrën më të keqe nuk do të doja të shihja një lumë që vuan. Po, për fat të keq, Valbonës së brishtë e magjike edhe një plagë i duhet për t’u barazuar me Gjergj Elez Alinë e legjendës. Tetë thika – kantiere të hapura ndërtimi – ia kanë ngulur në trup. (Mbase edhe plagën e nëntë mund ta ketë marrë teksa shkruaj këto radhë.)
Pra, Valbona e plagosur villte gjak të turbullt. Më të pistë se ujët e Lanës. Ndjeva të më vinte turp. Kisha turp teksa shihja lumin që vuante dhe veten time të pazotin për ta ndihmuar. Së paku arrita të ndihmoj veten: bëra gomën e makinës që ma çanë guralecët e shpërndarë nëpër rrugë.
Më mjaftojnë hallet e mia, duhet të më ketë lëvizur turbull në nënndërgjegje.
Kthehem në Tiranë dhe, për koincidencë, në një televizion shoh një kronikë për Valbonën. Ishte një pakolajm i humbur në pyllin e palolajmeve që mbushin televizionet, gazetat dhe portalet.
U bë nami me biçikletat “Mobike” të Lali Erit, me hallin e PD-së për dhuratën e ditëlindjes së Lulit, me (mos)lëvizjen e Fevzos nga Klani, me stuhinë në gotë të Babales, apo me furtunën në tepsinë e pabythë të Edit.
Sigurisht, më shumë vend se kronika e vetmuar për Valbonën, zuri lajmi i shfaqjes që ca aktorë të nderuar dhanë në mes të Tiranës. Për të qarë e për të qeshur. Ngjanin me Don Kishotë që me recitime kërkojnë të mbrojnë ndërtesën e Teatrit Kombëtar nga shkatërrimi.
Mbase edhe mund ta shpëtonin nëse pas recitimeve do kishte duartrokitje. Po spektatori kësaj here qëlloi vuv. Dhe për më tepër lëkurëtrashë. I pandjeshëm ndaj rrezikut që afrohet. Hesht. Më e pakta, bën sehir, më e shumta, shtriqet e ha fara para ekranit.
Duket se edhe vetë aktorët nuk janë më pak lëkurëtrashë. Përndryshe nuk do të prisnin që e keqja t’i afrohej bythës së tyre për të protestuar, por do ishin ngritur me kohë, do të shkonin të recitonin edhe gjetkë, bie fjala, në Valbonë. Në mos për të bërë të tyrin edhe hallin e lumit, së paku të harroheshin pak orë me një shëtitje në pyll.
Po është e kotë ta tjerr më gjatë. Me sa duket e paskemi në racë lëkurëtrashësinë, si unë, si aktorët, edhe spektatorët. Për sa kohë rreziku është ‘larg bythës sime’ pajtohemi, madje edhe ua quajmë të ligjshme pushtetarëve të radhës, atë biçim norme që e vendosën ditë pas dite, mbase që mund të merret edhe si moral, që shkon përtej cipëplasjes e turpit njerëzor. Babëzinë e tyre pa kufi.
Përndryshe qenkemi të gjithë kaq naivë si popull sa presim që Valbona e ngratë të marrë rrugën e të zbresë në Tiranë, t’i shkojë në zyrë e t’i qajë hallin Edi Ramës. Dhe, po si naivë, mendojmë se iku koha e grushtit të fuqishëm. Vetëm një lumë i vuajtur e prek zemrën e gurtë ‘të malit që s’bëzan’.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



