E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Analiza/ “Llogaridhënia propagandistike, pse hesht qeveria për 825 milionë euro abuzime në 2017”
Publik News

Analiza/ “Llogaridhënia propagandistike, pse hesht qeveria për 825 milionë euro abuzime në 2017”

PREÇ ZOGAJ

prec zogaj

Kryeministri dhe ministrat e qeverisë së tij kanë normuar takimet pothuajse çdo fundjavë me zgjedhësit u kanë vënë emrin llogaridhënie. Nganjëherë i quajnë dëgjesa publike. Të dyja janë parime dhe praktika të qeverisjes së mirë në shoqërinë e hapur. Bashkë me transparencën. Nga kjo pikëpamje, ata bëjnë shumë mirë që takohen e ballafaqohen me njerëzit. Mirëpo, siç mund ta shohim çdo fundjavë, zoti Rama ua ka hequr këtyre takimeve kuptimin dhe përmbajtjen e vërtetë të llogaridhënies, duke u ruajtur si të tillë vetëm fasadën, emërtimin. Ministrat dhe krerët e pushtetit vendor të rrethit të tij e imitojnë.
Duke e çuar në ekstrem nganjëherë shëmtimin dhe tjetërsimin e asaj, që paraqitet si llogaridhënie.

Në fakt, llogaridhënia e qeverisë Rama është fiktive në thelb, për arsye se kjo qeveri nuk ka konkurruar me një program konkret para zgjedhësve. Fushata e Ramës në zgjedhjet e vitit të kaluar ishte një show me batuta dhe me simbolika të timonit dhe tepsisë. Llogaridhënia ka sens para së gjithash, kur qeveria shkon dhe përgjigjet para zgjedhësve për zbatimin e pikave të programit. Pra, jep llogari për rritjen e pensioneve në raport me premtimin e dhënë , për rritjen e rrogave, për ecurinë e investimeve apo subvencioneve në bujqësi, për futjen e inçentivave ekonomikë, për luftën kundër abuzimeve dhe informalitetit, për kontrollin e ilaçeve e ushqimeve dhe përplot çështje të tjera, për të cilat supozohet se ka marrë votën e shumicës. Në rastin tonë, qeveria që ka fituar pa program, është e çliruar nga kjo barrë. Formalisht, ajo nuk ka asnjë detyrim të japë llogari. Madje, ajo mund të mburret se po ua bën peshqesh njerëzve atë që ajo e quan llogaridhënie. Në fakt, siç e pamë edhe në takimin e kësaj fundjave në Korçë dhe në sa e sa takime të mëparshme të këtij formati, zoti Rama e ka konceptuar llogaridhënien si shfaqje propagandistike për të reklamuar veten dhe për të sulmuar opozitën. Për këtë arsye, shumica e njerëzve që marrin pjesë në këto takime janë militantë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Me ndonjë përjashtim të rrallë, sa për të përforcuar rregullin. Në thelb janë takime partiake që bëhen me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Si garniturë e pjatës propagandistike shihen herë pas here individë, që shkojnë për të paraqitur ankesa dhe probleme vetjake, për të cilat sipas rastit, ose marrin përgjigje aty për aty, ose u thuhet t’i drejtohen portalit ” magjik” të qeverisë. Kjo bën që takimet “llogaridhënëse” të qeverisë të marrin për një çast edhe funksionet e një zyre ambulante të pritjes së popullit, duke dubluar në rastin më të mirë zyrtarët që kanë kompetencat dhe detyrimin t’u përgjigjen ankesave të qytetarëve. Po qindra të tjerëve që nuk marrin pjesë në këto takime, kush ua zgjidh hallet? Po gjatë periudhës nga takimi në takim, që zgjat me muaj, kush u përgjigjet qytetarëve? Gjithkush e kupton se detyra e qeverisë nuk është të korigjojë një herë në hënë administratën, por ta verë në punë në shërbim të përditshëm të njerëzve. Kryeministri dhe ministri nuk e kanë të vështirë të zgjidhin një hall apo pesë halle për të bërë lajm. Por thellë-thellë, ata kontribuojnë dhe janë përgjegjës ndërkaq për moszgjidhjen e mijëra halleve, duke lënë në punë zyrtarë dhe administratorë të politizuar, të paaftë e të korruptuar që nuk bëjnë detyrën. Të cilët, si për ironi, i shohim të jenë “popull” në takimet e “llogaridhënies”.

Ka ndodhur që Kryeministri të njoftojë shkarkimin në vend të ndonjë zyrtari të paditur për indiferencë apo zvarritje nga hallexhiu i pranishëm. Nuk i futem dot të analizoj a janë të drejta këto reagime apo të llogaritura për të ushqyer në publik kultin e udhëheqësit të madh “që e zgjidh në vend”, të shkarkon “fluturim”. Por kemi një të dhënë tjetër shumë domethënëse, që vërteton se edhe në këtë rast qëllimi kryesor është propagandistik. E dhëna është numri i madh i rekomandime, që u dërgon çdo vit Kontrolli i Lartë i Shtetit institucioneve dhe agjencive të kontrolluara, të cilave u propozon marrjen e masave disiplinore apo shkarkimin nga detyra të zyrtarëve të kapur me shkelje. Për vitin 2017, numri i rekomandimeve, ku përfshihen edhe ato për rregullime ligjore, që janë shumë më të pakta në numër se rekomandimet për masa administrative dhe ligjore, është tre mijë e shtatëqind e njëzet e një (3721). Bëhet fjalë për abuzime, shpërdorime, vjedhje dhe shkelje financiare që i kushtojnë miliona buxhetit të shtetit. Institucionet nuk janë të detyruara t’i zbatojnë. Por ato kanë detyrimin ligjor të raportojnë planet e zbatimit apo arsyet e mospranimit. Çfarë ndodh? Këto rekomandime kanë rënë e vijojnë të bien gjithnjë e më shumë në vesh të shurdhër, sidomos gjatë viteve të fundit që përkojnë me qeverisjen e Rilindjes. Kjo e ka një arsye. Edi Rama është Kryeministri që nuk ka rinovuar urdhrin standard “Për masat në zbatim të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në institucionet në varësi të Kryeministrit a të ministrave”. Pse duhet ta vënë ujët në zjarr ministrat dhe zyrtarët e tjerë të një rangu me të ulët, kur shembullin e shpërfilljes së rekomandimeve e jep vetë Kryeministri! Duhet të shënojmë këtu se raportet dhe rekomandimet e KLSH-së mbështeten në kontrolle të kryera nga profesionistë që ngulen aty ku kontrollojnë, që u japin mundësi subjekteve dhe çdo zyrtari të kontrolluar të bëjnë objeksionet e tyre, të dëgjohen në séanca dëgjimore para se raportet dhe rekomandimet të marrin formë përfundimtare. Kanë vlerë sigurisht edhe denoncimet e qytetarëve në takimet e zotit Rama, në portalin e qeverisë, në çdo portal tjetër. Por kur është fjala për të folur për tenderët apo për shpenzimet, vështrimi i profesionistëve të KLSH-së është kurdoherë më i thellë, i verifikuar disa herë. Kryeministri dhe ministrat që injorojnë në këtë shkallë rekomandimet institucionale të institucionit të kontrollit e legjitimojnë abuzimin, veshin me imunitet zyrtarët e paaftë e të korruptuar, që vazhdojnë t’i bien me top. Prej këtu, bien si kështjellë prej rëre, si demagogji e pastër, dëgjesat publike alla Rama, bërja shembull në mexhlise e ndonjë zyrtari.

Siç e shënuam më lart, qeveria e Ramës nuk ka konkurruar me program dhe prandaj mund edhe t’i bëjë bisht apo të tallet me llogaridhënien. Por edhe kjo qeveri ka vendosur publikisht disa piketa, me të cilat matet e duhet të matet para qytetarëve. Një piketë e tillë ishte data e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE më datë 28 qershor të këtij viti. Pasi dështoi për hapjen e negociatave në vitin 2016, qeveria vuri si objektiv vitin 2018. Dështoi përsëri. Hapja e negociatave u shty për vitin e ardhshëm. Në vend që të japin llogari, në kuptimin që të japin shpjegime dhe të mbajnë qëndrime për djegien e datës së objektivit të shpallur, zoti Rama me bashkëpunëtorët e tij janë lëshuar në prodhimin e kampionit më qesharak e më të përçudnuar të propagandimit të tyre si mënyrë të menduari e të drejtuari. Po thonë se negociatat janë hapur. Pastaj po thonë se negociatat do të hapen në qershorin e ardhshëm. Pra, do të hapen dy herë. Pse jo tre herë. Shqipëria prandaj është një rast i veçantë. Me qeverisjen që ka, negociatat mund t’i hapen tre dhe katër herë dhe të mos i jepen asnjëherë.

T’i lëmë për një moment negociatat. Të marrim financat. Llogaridhënia e qeverisë, edhe ku nuk ka premtuar asnjë datë dhe asnjë shifër, është detyrë dhe detyrim në lidhje me shpenzimet e çdo qindarke të taksapaguesve. Qeveria për ketë ekziston në fund të fundit. Për të administruar portofolin e qytetarëve. Meqë përmendëm KLSH-në, para pak ditësh publiku shqiptar u njoh me raportin e këtij institucioni për vitin 2017. Nga listimi i hollësishëm i auditeve të kryera dhe shkeljeve të konstatuara, raporti kishte llogaritur në total një dëm ekonomik në 110.5 miliardë lekësh ose afërsisht 825,6 milionë eurosh. Për një vit! Një shifër thjesht e tmerrshme, që pason shifrat e dëmeve ndër vite dhe për të cilat mbahet një heshtje kriminale. Ja ku janë paratë e pensioneve për ata që pyesin ku janë paratë. Ja edhe paratë e Teatrit Kombëtar që kushton një pikë ujë në fakt, në krahasim me këtë det abuzimesh.

Qeveria hesht për këto shpërdorime, që janë akuza publike në adresë të saj, të ngritura nga një institucion i specializuar që këtë detyrë ka. Hesht në Kuvend, hesht edhe në takimet e saj të llogaridhënies propagandistike. Që me aq sa thamë, merret vesh se janë një shfaqje e fshehjes së abuzimeve “gju më gju me popullin”./Panorama

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.