Media dhe fëmija që e gdhin natën në prehrin e nënës pa jetë
Çapajev Gjokutaj
‘Ish-polici dhe bashkëjetuesja gjenden të vrarë në makinë, shpëton fëmija 1 vjeç’. Ky është titulli që përdorin shumë media për të përcjellur vrasjen e fundit në Shkodër.
Akoma nuk dihet pse, por çifti është vrarë në orët e vona të natës. Në mëngjes disa kalimtarë të rastit kanë njoftuar policinë.
Policët që erdhën në vendngjarje, veç viktimave gjetën edhe një fëmijë të gjakosur. Ulur në prehrin e nënës së vrarë thithte gjirin.
Ngjarja është rrënqethëse. Një fëmijë që përjeton shokun e të shtënave të automatikut, e gdhin natën në prehrin e nënës pa jetë dhe llangoset me gjakun e saj. Kaq i traumatizuar është, sa kërkon ngrohtësinë amtare në gjirin akull të së vdekurës.
Por mediat mendojnë ndryshe. ‘Ndoshta ka qenë fat, që pas 25 plumbash automatiku, shkruan njera, fëmija u gjet shëndoshë e mirë.’ Dhe pastaj shton: ‘Foshnja është transportuar për në spital. Sipas mjekëve gëzon shëndet të plotë’.
Shëndet ziu?♀️ Fëmija është plagosur rëndë. Jo në trup, por në shpirt. Plagë të tilla vështirë se mbyllen gjithë jetën. Kullojnë në subkoshiencë, jo gjak por çrregullime.
E megjithatë mjekët paskan thënë se ‘gëzon shëndet të plotë’. Dhe policia jep sihariqin?, kurse mediat e përcjellin? Më tej shoqëria bën iso ‘ehehe shpëtoi fëmija’, sikur jeta të ishte vetëm ekzistencë fizike.
Përtej rrokopujës sarkastike, le të shpresojmë se do të dalë dikush dhe do kujtojë që fëmijët, kur pësojnë trauma të tilla, e kanë të domosdoshme të rriten nën kujdesin periodik të psikologut
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



