E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria nis  hetimet për tenderin 16 milionë euro të ish-hotel Dajtit
Publik News

Prokuroria nis hetimet për tenderin 16 milionë euro të ish-hotel Dajtit

Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për tenderin për rikonstruksionin e ish–Hotel Dajtit, një projekt që kushton 16 milionë euro.

Organi i akuzës do të hetojë për dy akuza të rënda: atë të shkeljes së barazisë në tendera dhe atë të shpërdorimit të detyrës.

Objekt i hetimit do të jetë mënyra si është zhvilluar tenderi për rikonstruksionin e godinës, që është dhënë një kompanie, emri i së cilës vazhdon të mbahet sekret nga Banka e Shqipërisë.

Mësohet se hetimet kanë si bazë të parë shqyrtimin e gjithë dokumentacionit dhe mënyrën se si është përcaktuar zhvillimi i tenderit për Hotel Dajtin.

Banka e Shqipërisë reagoi të martën për të sqaruar për herë të parë pas dy muajve të gjithë procesin e rikonstruksionit të këtij objekti.

Por në sqarimin e saj nuk thuhet se procedura e prokurimit te godinës të jetë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, ashtu siç nënvizohet se Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar vetëm projektin që ka kushtuar rreth 705 mije euro.

Sipas ligjit, është këshilli mbikëqyrës ai që e përcakton proceduren e prokurimit, siç ka vepruar edhe në rastin e rikonsturksionit të Bankës Qendrore, me vendimin numër 68.

Guvernatori i Bankës, thotë se këshilli mbikëqyrës nuk e firmos procedurën e prokurimit, por shton se gjithçka është bërë si në rastin e prokurimit të rikonstruksionit të godinës qëndrore.

GENT SEJKO, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: “Këshilli Mbikëqyrës nuk firmos procedurë prokurimi. Normalisht gjithçka është bërë sipas ligjit, sipas rregullores. Gjithçka është në përputhje me ligjin, gjithçka është në përputhje me procedurën.”

-Zoti Guvernator përse këshilli nuk ka miratuar llojin e procedurës “Tender Ndërkombëtar i Kufizuar”, njësoj siç ka bërë në vendimin për selinë qendrore?

– “Njësoj është miratuar.”

– Te vendimi i vitit 2015-të nuk është miratuar procedura “Tender Ndërkombëtar i Kufizuar”.

-“Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe në përputhje me rregulloren. Ne raportojmë çdo vit përpara Komisionit të Ekonomisë dhe jemi subjekt auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.”

Vendimi i datës 1 prill të vitit 2015-të, thotë se Këshilli ka miratuar “realizimin e objektit të prokurimit “Rikonstruksioni i godinës së ish-hotel “Dajtit”, nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje deri në 3 vjet”, por nuk ka përmendur asnjë procedurë prokurimi.

Banka e Shqipërisë refuzoi për 2 muaj me radhë të jepte sqarime për tenderin dhe e mbajti atë lart transparencës ndaj publikut, duke shtuar dyshimet për mënyrën e zhvillimit të tij. Nëse tenderi është zhvilluar në respekt të ligjit, do të jenë hetimet e prokurorisë së Tiranës që do të hedhin më në fund dritë mbi këtë çështje. Pritet që prokuroria të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë në procedurat e tenderit 16 milionë eurosh

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.