Gomonia e vjedhur gjendet në shtëpinë e “kaubojsit”, pranga nipave të ish-deputetit
Dy të afërm të ish-deputetit socialist Eduard Ndocaj janë arrestuar në Sarandë, pasi akuzohen se vidhnin mjete lundruese në ishullin e Korfuzit, për t’i shitur ato më pas në vendin tonë.
Në pranga kanë rënë të miturit F.Lleshaj 17 vjeç, nga Mirdita dhe A.Dedaj 15 vjeç, lindur në Rrëshen. Të dy janë banues në Shëndëlli të Sarandës.
Sipas policisë, të miturit dhe 20-vjeçari Kristi Dedaj, i arrestuar në Greqi, me të cilin bashkëpunonin, janë djemtë e baxhanakut të Ndocaj, ose nipat e gruas së këtij të fundit.
Mësohet se gjatë operacionit policor, në Korfuz të Greqisë është arrestuar dhe një person i katër 17-vjeçari L.Prenga banues në fshatin Shëndëlli.
Gomonia e vjedhur në shtëpinë e Ndocaj
Teksa policia e Sarandës ka vënë në zbatim operacionin e koduar “Butrinti”, ka arritur në bashkëpunim me policinë Greke, të sekuestrojë 5 mjete lundruese, gomone, të cilat janë vjedhur nga katër personat e sipërcituar.
Një burim pranë policisë së Sarandës, tha për Shqiptarja.com, se njëra nga gomonet e vjedhura është gjetur në shtëpinë e ish-deputetit Ndocaj, në fshatin Shëndëlli.
Pikërisht në shtëpinë e Ndocaj, policia tha se veç gomones, personat e arrestuar kishin strehuar dhe sende të tjera, si motorë skafi, dhe sende të tjera që dyshohet se i kanë vjedhur në Greqi.
Banesa ende e papërfunduar e Ndocaj, është deklaruar nga ky i fundit dhe në deklaratën e pasurisë të tij në kohën kur ushtronte funksionin e deputetit në qarkun e Lezhë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



