Kërkesat për arrestime, rasti i Tahirit/Vendimi i Byrosë së Kuvendit, rritet imuniteti i deputetëve
/ Byroja e Kuvendit ka miratuar një udhëzues ku forcon imunitetin e deputetëve. Në vendimin numër 19 të datës 27 shtator, Byroja e Kuvendit ka miratuar Udhëzuesin e Detajuar për Sjelljen në Kuvend, ku në pikën 15 flitet për kufizimin e imunitetit.

“Ky mekanizëm procedural është mbrojtje e veçantë ligjore, kur ndaj tyre kërkohet masa e arrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës nga organi i akuzës dhe që shërben si filtër i verifikimit, nëse kërkesa synon presionin, destabilizimin ose cenimin e pavarësisë së institucionit. Dispozitat procedurale, që parashikojnë rregullat dhe mënyrën e shqyrtimit dhe lëshimit të autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, kanë si qëllim që, nëpërmjet procedurave, të verifikohet nëse kërkesat e paraqitura nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera të pavarura, synohet ose tentohet që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose të preket funksionimi normal dhe pavarësia e institucionit”, shprehet në udhëzues.

Sipas këtij udhëzuesi, në rastet e kërkesës për masë arresti për deputetin ose heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si organi i posaçëm i Kuvendit për të tilla kërkesa, duhet të shqyrtojë kërkesën hetimore si edhe të bindet nëse duhet të japë autorizimin ose jo.
PROCEDURA
Në vendimin e Byrosë së Kuvendit shprehet se dispozitat procedurale të imunitetit parlamentar u japin një mbrojtje më të madhe deputetëve se shtetasve të tjerë, por ai nuk duhet të keqpërdoret për pendimin e drejtësisë.
“Dispozitat procedurale për imunitetin parlamentar, pavarësisht se i japin deputetit një mbrojtje më të madhe se shtetasve të tjerë, nuk duhet të keqpërdoren për pengimin e drejtësisë, pasi në këtë mënyrë çojnë në uljen e besimit të publikut ndaj Kuvendit. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, gjatë shqyrtimit të kërkesave, kur për deputetë të caktuar kërkohet masa e arrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme ose ushtrimi i kontrollit personal, duhet të mbajë në konsideratë sa më sipër, duke vlerësuar se në çdo rast procedura parlamentare bëhet për t’i hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës në organe të një pushteti tjetër. Gjatë procedurave parlamentare për heqjen e imunitetit, deputeti, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, duhet të tregohet i gatshëm që të marrë pjesë dhe të dëgjohet në mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të paraqesë çdo dokument ose dëshmi tjetër me shkrim, që konsiderohet nga ai me rëndësi për çështjen, si dhe të kryejë çdo veprim tjetër që i kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit”, shprehet në udhëzim.
Një rast i ngjashëm me këtë është ndjekur edhe gjatë shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë në vitin 2017 për kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo kërkesë e Prokurorisë u rrëzua si e pabazuar në fakte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



