E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zv.guvernatorja: Siguria financiare, Banka e Shqipërisë, pakt me BE
Lajme

Zv.guvernatorja: Siguria financiare, Banka e Shqipërisë, pakt me BE

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën FinSAC (Financial Sector Advisory Center) të Bankës Botërore, organizuan dje Konferencën Rajonale me temë “Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme”.

 

Zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj u shpreh se bankat në vend përballen me sfida të shumta, por në bazë të kuadrit të plotë ligjor edhe bankat kanë përgatitur planin e nevojshëm të rimëkëmbjes. “Ndërhyrja e jashtëzakonshme është një proces mjaft sfidues për vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Sektori bankar në Ballkan mbizotërohet nga bankat me kapital të huaj. Në Shqipëri, filialet e bankave me kapital të huaj përbëjnë rreth 78% të aktiveve të sektorit bankar, ndërsa ato europiane 48%.

 

Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për 7 filiale të grupeve bankare të Bashkimit Europian, 4 prej të cilave të klasifikuara si sistemike nën mandatin e Bordit të Përbashkët për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, SRB. Për këtë qëllim, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të grupit bankar dhe autoriteteve lokale, ku vepron filiali, është mjaft i rëndësishëm për koordinimin e veprimeve, shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe në tërësi për menaxhimin e koordinuar të krizave.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin se Banka e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e rëndësishme të bashkëpunimit me Bordin e Përbashkët për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, pra, Autoritetin e Ndërhyrjes për Bashkimin Europian, në datën 3 tetor të këtij viti”, u shpreh Ahmetaj. Zv/guvernatorja foli edhe për rolin mbikëqyrës së bankave në përmbushjen e dy objektivave kryesore atë të sigurimit të shëndetit të bankave dhe nxitja e një integrimi më të thellë të sektorit bankar.

“Një mbikëqyrje më e fortë dhe uniforme rrit qëndrueshmërinë e bankave dhe i pajis ato me një kornizë politikash më koherente për bankingun ndërkufitar, duke sjellë përfitime në krahasim me sistemin e fragmentuar të mbikëqyrjes kombëtare. Mario Draghi thotë: “Le të mos harrojmë, se fragmentimi fillon me vendimin e bankave për të mos operuar në rajone ku raporti risk-fitim në kredidhënie gjykohet i pamjaftueshëm për të shpërblyer kapitalin e investuar prej tyre”, u shpreh Ahmetaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.