A do ngelemi një popull eunuk edhe këtë herë?!
Nëse kjo qeveri ia hedh paq edhe këtë radhë, kjo do të thotë që ne jemi një popull eunuk dhe miop i pandreqshëm. Do të thotë që s’dimë të dallojmë të keqen dhe, më e keqja, pranojmë përunjësisht të bashkëjetojmë me të.
Do thoni ju: kush je ti që na jep mend, që përcaktoke, madje, kush është e keqja?! Në fakt, nuk jam kërkush. Jam thjesht një qytetar me sytë në ballë dhe me përvojë të mjaftueshme për të kuptuar që ky vend po gremiset jo më ngadalë, por me shpejtësi të frikshme. Shikoni përreth!
Varfëri. Papunësi. Hajdutëri. Pesimizëm. Gënjeshtra na ka mbirë në bark. Një teatër absurd luhet në kokën tonë. Njerëzit po flasin me vete, po avullojnë, a thua se në këtë vend ka rënë kolera. Truri na ka lënë shëndenë me kohë. Do ngelin vetëm një tufë çakejsh që do shqyejnë njëri-tjetrin në aktin e fundit të dramës.
S’kisha menduar kurrë të largohesha më parë, tani e mendoj përditë. A mund të jetosh në një vend që qelbet në korrupsion? Si mundet të punosh me një qeveri të pashpirt që të rrëmben gjithçka, që s’të dëgjon, të tall, të nëpërkëmb e s’të lë hapësirë të marrësh frymë? Na kishin rënë më qafë edhe më parë tufa injorantësh me pushtet. Na kanë futur edhe ata dorën në kuletë, por më besoni, këta të sotmit plaçkitjen e kanë shndërruar në art. Po na roisin ngadalë derisa të dorëzohemi e t’iu lutemi për mëshirë.
Mos kujtoni se kam ndonjë inat. As ndonjë simpati. Unë urrej çdo lloj hajduti me shpirt. Gjithmonë votoj si qytetar që zgjedh të keqen më të vogël sepse e di shumë mirë që kushdo qoftë mbi tepsi s’mund të rrijë pa llangosur turinjtë. Por jo ama deri aty sa të më futen me përdhunë në shtëpi e të më helmojnë familjen. Të më bëjnë të ndihem në vitin 2018 si kulak a diversant. Të hesht se ku i dihet. Të më ndajnë nga të afërmit sepse po u prishkam punë që flas me zë të lartë. Të pi helmin e tyre çdo çast nga ekranet që më bombardojnë papushim haluçinanten fjalë, Rilindje. Fund e krye, ky emër, mashtrim. Heroinë për të trullosur e vënë në gjumë varfërinë. Hashash për ëndrrat e fëmijëve dhe kokainë për ata pak, që ndajnë plaçkën e vjedhur.
E di që do thoni: po mirë, ja po të besojmë, po kush të vijë?
Këtë nuk e di. Di vetëm që qeveritë duhen rrëzuar me çdo kusht, kur e mbushin kupën dhe kushdo që të vijë këtë radhë, populli duhet t’ia presë duart në të parin rast që do ta kapë të llangosur mbi tepsi.
Nuk ka rrugë tjetër. Përndryshe ne do ngelemi një popull eunuk, me surrat drejt Lindjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



