A do të jetë kandidate e opozitës për kryeministre në zgjedhjet e 2025? Ja si përgjigjet deputetja Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e pyetur në emisionin “Kjo Javë” nëse do të jetë kandidate për kryeministre nga radhët e opozitës në zgjedhjet e 2025, ajo është shprehur se për të nuk është i rëndësishëm posti.

Tabaku u shpreh se duhet t’u lënë kohë njerëzve dhe se Partia Demokratike ka necojë për këdo në opozitë.

Pjesë nga biseda:

Jorida Tabaku: Në qershor të vitit të shkuar dhashë dorëheqjen si zv/kryetare e Partisë nga ajo që kishte mbetur dhe e dhashë me tërë mend dhe bëra një propozim në atë kohë që një grup njerëzish ta marrin përsipër që të shkojmë me një ofertë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve të mendojmë për lidershipin e partisë. Edhe sot unë këtë mendoj. Dhashë dorëheqjen për të treguar se nuk ka rëndësi pozicioni. Nuk e dhashë dorëheqjen gjasme, por e dhashë me idenë që duhet të ikim nga interesat personale. Nuk e besoj që Partia Demokratike është akoma në këto diskutime. Le t’i lëmë kohë, kohës! Duhet të fokusohemi te njerëzit.

Nisida Tufa: Nuk është një jo?

Jorida Tabaku: Po them që t’i lëmë kohë njerëzve të diskutojnë! E mendoj se duhet t’i lë lëmë kohë njerëzve dhe mendoj se Partia Demokratike ka nevojë për këdo në opozitë.

Duke diskutuar në studion e News24, Tabaku u shpreh ndër të tjera se ka kërkuar bashkimin e PD dhe një ofertë të përbashkët politike, gjë që sipas saj kërkohet edhe nga shumica e qytetarëve që ndajnë këto shqetësime.

“Kam kërkuar me ngulm bashkimin e PD dhe krijimin e një oferte të përbashkët dhe sot kemi arritur në një pikë ku shqiptarët kërkojnë bashkimin e PD dhe një ofertë politike. Sot jemi me një grup me 47 deputetë që janë bashkuar. Kjo nuk e ka bashkuar partinë, pasi duhet të kalojë në bazë, te njerëzit. Ata i dëgjojnë politikanët dhe sherrnaja ka lëvizur edhe poshtë. Ka nevojë që të lëvizim dhe të mos mendojmë për cic-mic-et dhe thumbat dhe t’i japim njerëzve një ofertë”, tha ajo.

E pyetur nëse Gazment Bardhi mund të jetë pasardhës i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, Tabaku tha: “Ne jemi në kohën që nuk mund të vazhdojmë me përjashtime, me anulime, me largime. Nuk e kemi luksin të përsërisim të njëjtën retorikë. Unë kam një konflikt interesi se Bardhin e kam edhe mik. Është një politikan me integritet. Ka dhënë shumë kontribute në Partinë Demokratike.

Jemi miq! Kemi luksin që me njëri-tjetrin të biem dakord edhe të mos biem dakord. Shumëkush nuk e di që shumë gjëra që janë prodhuar në PD, i ka prodhuar Bardhi. Ka qenë në prapaskenë, ka qenë modest, tani është në krye. Kam edhe luksin t’i them nëse diçka nuk shkon.”/ BW

Publikuar nga Publik Media