A do zgjidhte halle personale? Xholi ‘befason’ KLP-në me reagimin
“Do ju jepja kafe se në SPAK e bëjnë të mirë”
Gjatë prezantimit të platformës së tij në seancën dëgjimore të KLP-së, prokurori Adnan Xholi, një nga kandidatët për drejtimin e ri të SPAK, foli hapur edhe për pikën që e konsideron më të dobët në aspektin profesional. Ai pranoi se fusha e kriptovalutave mbetet një territor ku nuk ka ende njohuritë e nevojshme.
“Siç e kam theksuar, forca ime kryesore lidhet me përmbushjen e kritereve të drejtimit dhe menaxhimit. Kam përvojë si në anën drejtuese, ashtu edhe në atë akademike. Por askush nuk është i pagabueshëm. Çdo ditë mësoj diçka të re dhe nuk pretendoj se i di të gjitha. Në kriptovaluta nuk e kam nivelin e një eksperti, ndaj më duhet kohë për t’u futur më thellë,” u shpreh Xholi, duke shtuar me humor se përkushtimi në punë shpesh i heq kohë familjes.
Ai ndaloi edhe te puna e dy drejtuesve të SPAK-ut para tij, Altin Dumani dhe Arben Kraja. Sipas tij, Kraja u përball me sfidën e mungesës së stafit, ndërsa Dumani kishte një ekip të konsoliduar dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. “Do të mundohem të marr shembuj nga të dy,” tha Xholi.
Në seancë pati edhe momente të sikletshme. Anëtarja e KLP-së, Arta Mandro, e pyeti se si do të reagonte në rast se, pasi të zgjidhej në krye të SPAK-ut, ajo do t’i kërkonte një nder në zyrë.
Xholi u përgjigj prerë: “Pozita juaj është e respektueshme, por përpara ligjit dhe kushtetutës askush nuk ka privilegje. Si zonjë do t’ju ofroja një kafe, por sa i përket nderit, do t’i qëndroja vetëm ligjit. Edhe pse, siç thonë, kafen në SPAK e bëjnë shumë të mirë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



