E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A jemi duke ngrënë për të jetuar apo për të testuar imunitetin?
Lajme

A jemi duke ngrënë për të jetuar apo për të testuar imunitetin?

Frutat “Krik Krak” pa datë skadence

Në raftet e marketeve shqiptare, loja e preferuar e qytetarëve nuk është më “gjej çmimin më të mirë”, por “gjej datën e skadencës”. Një lloj “escape room” ushqimor, ku fiton kush arrin të lexojë etiketën pa pasur nevojë për mikroskop. Rasti më i fundit që po bën xhiron në rrjet: një paketim me fruta të thata nga firma “Krik Krak”, një emër që duket se i referohet më shumë zhurmës që bën stomaku pas konsumimit, sesa kënaqësisë që të fal një snack.

Etiketa? Një mrekulli transparente… deri në pikën që s’lexohet asgjë. Jo përbërësit, jo origjinën, jo datën e skadencës. Thjesht një paketim misterioz, një surprizë që e hap me emocion, si një vezë Kinder, por për të rritur me sistem tretës delikat.

Duket se prodhuesit shqiptarë kanë zgjidhur një nga enigmat më të mëdha të njerëzimit: si të prodhosh ushqime që NUK skadojnë kurrë! Në vend që të ftohen në laboratorët e NASA-s apo të marrin “Nobel për ushqim pa datë”, ata janë të lirë të përhapin këtë formulë të pavdekësisë në çdo supermarket. Ose të paktën deri sa ndonjë bark të rebelohet.

Ndërkohë, AKU, institucioni që teorikisht duhet të ruajë shëndetin e qytetarëve, duket se është në një regjim të ri: dieta e informacionit. Nuk sheh, nuk dëgjon, nuk vepron. Mbase janë shumë të zënë duke analizuar etiketa në PowerPoint, me një kafe ekspres në dorë, ose ndoshta duke bërë “kontrolle” në terren nga Instagrami.

Në fund të ditës, qytetari ngel me dyshime ekzistenciale në dorë: A është “Krik Krak” emri i produktit, apo tingulli që bën barku im pasi e kam ngrënë?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.