Administratorja e “Durrës Marina” refuzon të shpjegojë zhytjen e pallateve me 28 cm
Skandali i zhytjes së pallateve në projektin “Durrës Marina” po thellohet çdo ditë e më shumë. Pas publikimit të investigimit nga emisioni “Piranjat”, në lëvizje u vu edhe IKMT, e cila konfirmoi zyrtarisht se dy pallatet e para të përfunduara kanë pësuar ulje deri në 28 centimetra.
Megjithatë, ndryshe nga raporti i institucionit shtetëror, nënkontraktori dhe inxhinieri konstruktor i projektit e minimizojnë problemin, duke deklaruar se ulja është “normale” dhe se shifrat e publikuara nga IKMT janë të pasakta.
Sipas konstruktorit Dhimitër Papa, problematika është krijuar nga mënyra sesi është zbatuar projekti, hapja e gropave përreth objekteve dhe ndryshimi i metodologjisë së pilotimit gjatë punimeve. Ai deklaroi se kompania kishte kërkuar zëvendësimin e pilotave prej betoni me pilota çakëlli, ndërsa pranoi se ulja e objekteve ka qenë më e madhe se ajo e parashikuar në projekt.
Ndërkohë, Instituti i Ndërtimit sqaron se monitorimi është bërë sipas procedurave teknike, përmes pikave të referencës dhe kuotave zero të projektit, gjë që kundërshtohet nga konstruktori dhe nenkontraktori.
Në qendër të debatit mbetet edhe përgjegjësia publike, pasi Autoriteti Portual Durrës zotëron 33% të kapitalit të “Durrës Marina”. Drejtori i APD-së, Liburn Aliu, shmangu përgjigjet direkte përballë pyetjeve mbi skandalin, duke kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim.
Po ashtu, administratorja e “Durrës Marina”, Elisabeta Hajrullai, refuzoi të japë shpjegime për publikun dhe u largua pa koment nga ambientet e kompanisë.
Investigimi ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e objekteve, mënyrën e zbatimit të projektit dhe përgjegjësinë e institucioneve e kompanive të përfshira në një nga projektet më të mëdha dhe më të debatueshme në vend./Piranjat
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



