Kaos në autostradën Tiranë-Durrës, aksidentohen 8 automjete
Dy aksidente të njëpasnjëshme kanë paralizuar qarkullimin mesditën e kësaj të hëne në autostradën Tiranë-Durrës, duke përfshirë në total tetë automjete dhe duke krijuar radhë të gjata trafiku në të dy drejtimet.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua pranë Sukthit, në drejtim të Tiranës, ku fillimisht u përplasën dy mjete. Pak metra më tej, një tjetër aksident zinxhir përfshiu pesë automjete, duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën në këtë segment.
Në të njëjtën kohë, një përplasje tjetër ndodhi në kahun e kundërt të autostradës, në afërsi të Maminasit, duke shtuar edhe më shumë ngarkesën në një nga akset më të frekuentuara në vend.
Si pasojë e këtyre incidenteve, trafiku u bllokua për disa minuta në të dy drejtimet, ndërsa kolona e mjeteve u shtri deri pranë hyrjes së Tiranës.
Policia e Durrësit bëri të ditur se nga aksidentet nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndërkohë, shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidenteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



