E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Adnan Xholi para KLP: Zbardhëm masakrën e Cërrikut dhe Qafë Gjashtës
Lajme

Adnan Xholi para KLP: Zbardhëm masakrën e Cërrikut dhe Qafë Gjashtës

Adnan Xholi, një nga katër kandidatët për kreun e Prokurorisë së Posaçme, paraqiti sot në mbledhjen e KLP platformën e tij si dhe një përmbledhje të eksperiencave profesionale, duke sjellë rastet më të rënda që ka hetuar gjatë karrierës.

Gjatë prezantimit, Xholi u ndal te dy çështje të bujshme të rrëmbimeve të biznesmenëve në Gjirokastër, të kryera nga dy grupe kriminale. Ai tha se viktimat janë mbajtur peng nga 9 deri në 18 ditë, duke iu nënshtruar dhunës fizike dhe psikologjike, të detyruar madje të hapnin edhe varrin e tyre për të rritur presionin e familjeve. Fillimisht u kërkuan 100 milionë dhrahmi, ndërsa grupet arritën të përfitonin 20–25 milionë dhrahmi, që me vlerën e sotme kapin 80–100 mijë euro.

“Gjatë kohës që isha drejtues janë rikthyer hetimet e viteve 1997, janë identifikuar autorët, mbledhur provat dhe janë dhënë dënime penale dhe pasurore,” deklaroi Xholi.

Ai rikujtoi edhe përfaqësimin e dy ngjarjeve të rënda të vitit ’97: Masakrën e Cërrikut dhe atë të Qafë Gjashtës.

“Në Qafë Gjashtë u identifikuan 9 të pandehur për vrasjen e 6 oficerëve të Policisë dhe Gardës, si edhe plagosjen e 16 të tjerëve. Në Cërrik u vra një oficer i lartë, u rrëmbyen dy të tjerë dhe pati tentativa vrasjeje ndaj disa të tjerëve. Autorët tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm,” tha ai.

Xholi premton zgjidhje për statusin e prokurorëve të SPAK

Në vijim, kandidati për kreun e SPAK theksoi se një nga prioritetet e tij është zgjidhja e statusit të prokurorëve të posaçëm, një çështje e ngritur në mënyrë të përsëritur edhe nga kreu në detyrë, Altin Dumani.

“Prokurorët që kanë përballuar grupet më të rrezikshme kriminale nuk mund të largohen në fund të mandatit 9-vjeçar. Nuk ka prokurorë të pazëvendësueshëm, por eksperienca që ata kanë fituar do humbasë dhe kjo do të dëmtojë institucionin,” tha Xholi.

Ai paralajmëroi se transferimi i tyre në prokurori të shkrira apo pa kapacitete do të zhdukte ekspertizën dhe memorien institucionale, sidomos në çështje që zgjasin me muaj e vite dhe zhvillohen në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

“Do kërkoj shtimin e numrit të prokurorëve të posaçëm, për të shmangur drejtësinë e vonuar dhe për të pasur rezultate më të shpejta,” tha ai.

“SPAK është prokurori elitë, nuk mund të merret me çështje të vogla”

I pyetur nga anëtarët e KLP për kërkesën e shtimit të stafit, Xholi theksoi se SPAK nuk duhet të ngarkohet me çështje që nuk përputhen me natyrën e tij.

“Kjo është një prokurori elitë dhe nuk duhet të merret me çështje të vogla. Çështjet kundër krimit të organizuar zgjasin me muaj dhe vite, prandaj duhet t’i ndjekë i njëjti prokuror nga fillimi në fund. Ndryshimet në kompetencën lëndore, të shoqëruara me shtimin e prokurorëve, do sjellin rezultate reale në kohë optimale,” u shpreh ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.