Aeroporti i Vlorës mes propagandës dhe pezullimit ligjor
Pacolli entuziast falë shijeve estetike të Edi Ramës, Gjykata e Tiranës e bllokon
Vetëm pak minuta pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që bllokoi çdo veprim të shoqërisë “Mabco Constructions SA” në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ka reaguar vetë Behgjet Pacolli, biznesmeni kosovar dhe aksioneri kryesor në këtë projekt.
Në një status të gjatë dhe emocional në Facebook, Pacolli ka zgjedhur të përcjellë optimizëm, duke shpërfillur krejtësisht vendimin e gjykatës dhe duke lavdëruar personalisht kryeministrin Edi Rama për vizionin dhe ndikimin e tij në dizajnin e aeroportit.
“AEROPORTI I VLORES PO VJEN!
Aeroporti i Vlorës (investimi më i madh privat në infrastrukturë publike) po përfundon brenda afatit kontraktual dhe po merr formën e një prej aeroporteve më modernë, më funksionalë dhe më të bukur në gjithë rajonin.
Falë edhe vizionit dhe kontributit personal të Kryeministrit Rama, veçanërisht në drejtim të zgjidhjeve estetike dhe dizajnit të brendshëm, kjo vepër po shndërrohet në një “boutique aeroport”, unik në llojin e vet dhe krenari kombëtare.” – shkruan Pacolli.
Në një koment shtesë poshtë postimit, Pacolli akuzon media dhe individë të caktuar për “artikuj të sponsorizuar dhe teori konspirative”, duke pretenduar se bëhet fjalë për persona që “u ka ndërprerë taxhinë për shkak të abuzimeve”.
“Ditët e fundit po qarkullojnë artikuj të sponsorizuar, thashetheme e teori konspirative nga individë të cilëve u kam ndërprerë ‘taxhinë’ për shkak të abuzimeve evidente që kanë kryer. Besoj fort se drejtësia do të veprojë në mënyrë të paanshme dhe ligjore, duke bërë detyrën e saj ashtu siç duhet.” – shton ai.
Vendimi i Gjykatës: “Stop çdo veprimi të Pacollit”
Në kontrast të plotë me tonin triumfalist të Pacollit, Gjykata e Tiranës sot ka vendosur një masë sigurie të padisë që pezullon çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Ortakëve të “Vlora International Airport (VIA)” SH.P.K., e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjykata ka pezulluar të drejtën e votës të shoqërisë “Mabco Constructions SA”, ortakut të shumicës, deri në regjistrimin zyrtar të kontratës së shitjes së 49% të kuotave që më 3 prill 2025 iu transferuan kompanisë shqiptare “2A Group” SH.P.K.
Në praktikë, kjo nënkupton se Pacolli nuk mund të ushtrojë asnjë veprim vendimmarrës ndaj koncesionarit të aeroportit, derisa të sqarohen procedurat e pronësisë dhe legjitimiteti i transfertës së kuotave.
Nga entuziazmi në hije strategjike
Reagimi i menjëhershëm dhe i koordinuar i Pacollit ka ngritur pikëpyetje të shumta në qarqet mediatike dhe ligjore. Vetëm pak orë para vendimit, një shkrim investigativ i Hashtag.al kishte hedhur dritë mbi dyshimet për interesa strategjike të huaja (përfshirë ruse) të maskuara pas konsorciumit që po ndërton aeroportin.
Sipas raportimit, marrëdhëniet e Pacollit me investitorë të paqartë dhe strukturat financiare qëndrore pas projektit mund të krijojnë rrezik për sigurinë kombëtare, në një zonë strategjike që lidhet drejtpërdrejt me brigjet e Jonit dhe me infrastrukturën energjetike të jugut të vendit.
Kujt t’i besojmë sot: Gjykatës apo Pacollit?
Ndërsa gjykata flet me akte dhe vendime që kanë efekt ligjor të menjëhershëm, Pacolli flet me statuset e tij në Facebook, duke ndërtuar një narrativë të ndritshme për një projekt që de facto është në bllokim.
Në mungesë të transparencës së plotë mbi aksionerët realë, procedurat e pronësisë dhe financimin e ndërtimit, mbetet e paqartë nëse “boutique aeroporti” që Pacolli përshkruan është realitet i afërt apo një vitrinë propagandistike që përpiqet të mbulojë tensionet ligjore e ekonomike brenda vetë projektit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



