E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aeroporti i Vlorës peng i konflikteve: Fluturime në letër, kaos në terren
Lajme

Aeroporti i Vlorës peng i konflikteve: Fluturime në letër, kaos në terren

Përplasja mes aksionerëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka dalë prej kohësh nga korniza e një konflikti thjesht ligjor dhe tashmë po reflektohet edhe në mënyrën se si publikohet dhe shpërndahet informacioni për këtë projekt. Çështja, e cila përfshin biznesmenët Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, po shoqërohet me vendime të njëpasnjëshme gjyqësore dhe një prani të fortë mediatike, ndërsa së fundmi ka nisur të krijojë paqartësi edhe në rrjetet sociale.

Në ditët e fundit është shpërndarë një njoftim nga një faqe në Facebook që paraqitet si zëri zyrtar i Aeroportit të Vlorës, ku bëhet e ditur se një kompani ajrore zvicerane do të ishte transportuesja e parë që do të operonte nga ky aeroport. Sipas këtij komunikimi, fluturimet direkte mes Zyrihut dhe Vlorës parashikohen të nisin në fund të qershorit 2026 dhe të vijojnë deri në vjeshtë, me frekuencë javore. Postimi shoqërohet me deklarata dhe thirrje për rezervime, duke krijuar përshtypjen se operimi është i konfirmuar.

Megjithatë, panorama në rrjetet sociale rezulton shumë më e paqartë. Ekzistojnë disa faqe të ndryshme që pretendojnë statusin e faqes zyrtare të aeroportit, por që publikojnë informacione të ndryshme dhe shpeshherë kontradiktore.

Kjo situatë e bën të vështirë identifikimin e burimit real të komunikimit dhe ngre dyshime mbi vërtetësinë e njoftimeve që qarkullojnë publikisht.

Paqartësitë shtohen edhe më tej kur vëmendja zhvendoset te kompania ajrore e përmendur, e cila aktualisht nuk e ka përfshirë destinacionin Vlorë në listën e fluturimeve të shpallura për sezonin veror të vitit 2026. Mungesa e çdo konfirmimi zyrtar e bën njoftimin e publikuar në rrjetet sociale edhe më të diskutueshëm.

Edhe në aspektin praktik, situata mbetet e hapur. Pavarësisht një fluturimi testues të kryer më herët, aeroporti nuk është ende funksional për fluturime komerciale. Afatet e përcaktuara në marrëveshjen koncesionare parashikojnë hapjen brenda gjysmës së parë të vitit 2026, por deri tani nuk ka pasur komunikim zyrtar mbi përfundimin e punimeve, certifikimin apo nisjen e operimeve të rregullta.

Në këtë kontekst, përplasjet mes aksionerëve, të kombinuara me mungesën e një komunikimi të unifikuar dhe të qartë, kanë shtuar pasigurinë rreth së ardhmes së Aeroportit të Vlorës. Pikëpyetje mbeten si për respektimin e afateve, ashtu edhe për besueshmërinë e njoftimeve që flasin për linja ndërkombëtare konkrete.

Deri në një sqarim institucional dhe një burim të vetëm zyrtar komunikimi, publiku, operatorët turistikë dhe tregu i aviacionit mbeten në pritje të një përgjigjeje të qartë: kur do të hapet realisht Aeroporti i Vlorës dhe kush flet në mënyrë të autorizuar në emër të tij?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.