Afera me Call Center, ‘Le Iene’ zbulon skemën që rrënoi qindra italianë
Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar një hetim të detajuar mbi një rrjet “Call Center”-ash që operonte nga Tirana, i cili dyshohet se ka mashtruar qytetarë nga vende të ndryshme, duke i nxitur të investonin shuma të mëdha parash përmes platformave të rreme.
Grupi kriminal, i goditur dy ditë më parë nga SPAK, ushtronte aktivitetin e tij në ambientet e një prej kullave luksoze të kryeqytetit, fakt që ishte bërë i ditur edhe më herët nga autoritetet. Investigimi i “Le Iene” nisi pas ankesave të disa shtetasve italianë, të cilët raportuan se ishin mashtruar përmes telefonatave dhe kishin humbur shuma të konsiderueshme parash.
Për të zbardhur mënyrën e funksionimit të skemës, emisioni italian arriti të infiltrohej brenda grupit të “Call Center”-it, duke futur një bashkëpunëtor të tyre si punonjës. Ky i fundit dokumentoi nga brenda mekanizmin e mashtrimit dhe rolin e secilit në skemë.
Sipas investigimit, një numër i madh punonjësish telefononin çdo ditë persona të ndryshëm, duke i bindur të investonin fillimisht shuma të vogla, që nisnin nga 250 euro, ndërsa në raste të tjera investimet arrinin deri në 200 mijë euro.
Një nga udhëzimet kryesore që iu dha të infiltruarit të “Le Iene” ishte që klientët të mos lejoheshin të fitonin më shumë se 30–50 euro në ditë. Qëllimi ishte që ata të krijonin bindjen se po fitonin dhe, të nxitur nga kjo, të investonin sërish shuma më të mëdha.
Gjatë qëndrimit në ambientet e “Call Center”-it, një nga shtetasit italianë të punësuar aty i rrëfeu të infiltruarit se nga kjo punë kishte arritur të siguronte të ardhura mujore që varionin nga 3.500 deri në 10.000 euro.
Po ashtu, brenda mjediseve të kompanisë mashtruese, punonjësve u bllokohej funksioni i kamerës në telefonat personalë, me qëllim që të parandalohej çdo përpjekje për filmim apo fotografim të aktivitetit që zhvillohej brenda zyrave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



