Agron Gjekmarkaj flet për pushimin e çështjes së lobimeve ndaj PD: Akuzat e PS, prokuroria i bëri të vetat
Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24” u shpreh se kjo qeveri ka mbaruar, kurse shtoi se opozita duhet të investojë më tepër në imazhin e vet, me qëllim që të fitojë besimin e qytetarëve.

“Sistemi i drejtësisë në vend është i çoroditur. Kjo akuzë ndaj PD është ngritur në kohën e protestave të mëdha, në kohën kur në opozitë kishte revoltë. Kjo akuzë u ngrit nga maxhoranca. Akuzën e maxhorancës e mori Prokuroria dhe e bëri të veten. Të bën të dyshosh se drejtësia këtu merr urdhra nga maxhoranca. Vendimi i Gjykatës është një lajm i mirë, sepse PD si një parti ndër të parat në vend del e pafajshme. Unë vetë nuk kam besuar kurrë se kjo ishte e vërtetë. Nuk e besoja sepse nuk besoj se në Shqipëri ka forca pro ruse. Nuk mendoj se agjent i rusëve është Basha, por as Rama. Kjo sepse për arsye strategjike, Shqipëria dhe SHBA shkojnë bashkë. Nuk besoj se PD si parti demokratike si parti demokratike të jetë pro ruse, kjo as që mund të besohet”, deklaroi Gjekmarkaj.
“Paketa antishpifje është qershia mbi tortë e dekadencës në raport me lirinë e fjalës. Kjo është një rrugë e censurës dhe auto-censurës në Shqipëri. Në këtë kontekst, qëndrimi i presidentit ishte i duhuri. Reagimi i PS ishte emocional, ishte thellim i deklaratave aspak të duhura të kryeministrit. Gjendja është kritike dhe duke miratuar këtë ligj, kryeministri do të zbehë kritikat. Ky ishte një ligj tepër i kontestuar. Ne po largohemi gjithnjë e më shumë nga referencat e shteteve perëndimore. Ne kemi fuqinë e unit, që është tek kryeministri i vendit”, u shpreh Gjekmarkaj.
Për Agron Gjekmarkajn, ky sistem duhet të ndryshojë dhe të mos jenë më listat e mbyllura, por të hapura.
“Mendoj se ky sistem ka nevojë të ndryshojë. Mendoj se duhet të paraqiten disa alternativa. Rama bashkë me Berishën bënë këtë marrëveshje që këta të dy të jenë mbi njerëzit, duke shndërruar njerëzit në zërin e ndërgjegjes së brendshme. Mendoj se ka ardhur kohë që të ndryshojë ky ligj. Nëse ka marrëveshje mes palëve, është një gjë e turpshme”, theksoi Gjekmarkaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



