Aksident tragjik në aksin Vlorë–Orikum, humb jetën drejtuesi i mjetit
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00 në aksin Vlorë–Orikum, pranë zonës së Radhimës, ku janë përfshirë tre automjete.
Nga përplasja e fortë mes një mjeti tip “Benz”, një “BMW” dhe një “Seat”, ka humbur jetën drejtuesi i “BMW”-së, Flamur Kabello, i cili po udhëtonte në drejtim të Vlorës.
Si pasojë e aksidentit, pesë persona me shtetësi egjiptiane, pasagjerë në automjetin “Benz”, kanë mbetur të plagosur lehtë. Ata janë transportuar menjëherë në spital, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pak minuta pas përplasjes, tre automjetet janë përfshirë nga flakët, duke e përkeqësuar situatën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit “Seat” ka shpëtuar pa lëndime.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar parakalimi nga drejtuesi i “Benz”-it, e kombinuar me shpejtësi mbi normat e lejuara. Testet e alkoolit të kryera ndaj drejtuesve të mjeteve kanë rezultuar negative.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



