Aksion antidrogë në Krujë, asgjësohen dhjetëra bimë kanabisi, një i arrestuar
Operacioni policor i koduar “Mukja” ka përfunduar me sukses në zonën e Krujës, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një territor pyjor.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 42 bimë të dyshuara cannabis sativa, si dhe rreth 600 gramë lëndë narkotike të së njëjtës specie, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për shpërndarje.
Si rezultat i operacionit, në pranga është vënë një 31-vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin e tij.
Aksioni u zhvillua nga strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, të cilat, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve të organizuara në terren, arritën të identifikojnë dhe godasin këtë aktivitet të paligjshëm.
Nga hetimet paraprake rezulton se dy personat e përfshirë kishin mbjellë 42 bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar në fshatin Mukaj, duke tentuar të shmangnin zbulimin nga autoritetet.
Gjatë kontrollit në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi edhe sasinë prej 600 gramësh cannabis sativa, e cila dyshohet se ishte përpunuar për treg.
Autoritetet vijojnë punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim, ndërkohë që hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme, nën akuzat për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “kultivim të bimëve narkotike”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



