Aksioni kundër Call Center-ave, identifikohet polici i shoqëruar
Është identifikuar efektivi i Policisë së Shtetit i ndaluar në kuadër të një operacioni të gjerë kundër call centerave mashtruese, i zhvilluar nga autoritetet franceze në bashkëpunim me SPAK.
Bëhet fjalë për August Berberin, me detyrë agjent në Komisariatin nr.1 në Tiranë. Burime bëjnë me dije se ndaj tij është ushtruar kontroll edhe në banesë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në kuadër të mbledhjes së provave.
Kontrollet janë shtrirë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, përfshirë një operacion në afërsi të rrugës “Sami Frashëri”, ku janë sekuestruar shuma parash dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin.
Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime se në këtë aktivitet të paligjshëm mund të jenë të përfshirë edhe efektivë të tjerë të Policisë së Shtetit, çka e bën çështjen edhe më sensitive.
Operacioni është pjesë e një serie goditjesh ndaj rrjeteve të mashtrimit përmes call centerave. Vetëm pak ditë më parë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, operacioni i koduar “Ghost Call” zbuloi një skemë të sofistikuar mashtrimi në Tiranë, e cila dyshohet se u ka zhvatur qytetarëve të huaj mbi 50 milionë euro.
Ndërkohë, operacione të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët në bashkëpunim me autoritetet gjermane, italiane dhe spanjolle, duke goditur rrjete ndërkombëtare të mashtrimit që operonin nga Shqipëria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



