Akuza e fortë: Rama ka përdorur AKSHI-n për të përgjuar të huajt
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) janë përgjuar dhe monitoruar jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe shtetas të huaj që ndodhen në Shqipëri.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se çështja e AKSHI-t ka ngritur shqetësime serioze edhe jashtë vendit. Sipas tij, në kancelaritë evropiane kjo temë është kthyer në një nga diskutimet kryesore, për shkak të rrezikut që paraqet për sigurinë.
Berisha pretendon se përmes AKSHI-t janë nxjerrë jashtë vendit të dhëna sekrete shtetërore, përfshirë edhe informacione që lidhen me aleancën e NATO-s, të cilat sipas tij kanë përfunduar në duart e organizatave kriminale dhe armiqve të Aleancës Atlantike.
“Situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe ka shkaktuar alarm në mbarë Europën. Në kancelaritë evropiane nuk flitet për asgjë tjetër përveç AKSHI-t. Arsyeja është e qartë: Edi Rama ka përdorur këtë institucion për të përgjuar dhe kontrolluar çdo qytetar shqiptar, por edhe çdo të huaj që ndodhet në Shqipëri. Nga AKSHI janë eksportuar të dhëna sekrete të Shqipërisë dhe të NATO-s, duke përbërë një shkelje të rëndë të sigurisë kombëtare dhe rajonale,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, AKSHI përfaqëson një skemë me “dy anë”, duke përmendur figura të lidhura me drejtimin e institucionit dhe me rrethin familjar të kryeministrit. “AKSHI është një monedhë me dy faqe. Në njërën anë është Linda e AKSHI-t, në anën tjetër Linda e Surrelit. Kjo është ajo që e trondit dhe e shkatërron Edi Ramën,” deklaroi Berisha.
Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa nga institucionet shtetërore nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me këto akuza.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



