Akuzat e Maduros për mafien shqiptare për rrëzimin nga pushteti
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, u arrestua sot nga forcat speciale amerikane gjatë një operacioni të befasishëm të zhvilluar në Karakas, i koduar “Operation Absolute Resolve”. Pas ndalimit, Maduro është nisur drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritet të dalë përpara drejtësisë amerikane për akuza të vjetra që lidhen me narco-terrorizmin dhe krime të rënda ndërkombëtare.
Zhvillimi merr një dimension ironik, pasi vetëm disa muaj më parë, vetë Maduro kishte hedhur akuza të forta publike ndaj asaj që ai e quante “mafia shqiptare”, duke e lidhur atë me një komplot për eliminimin e tij fizik dhe rrëzimin nga pushteti.
Në maj të këtij viti, në kulmin e fushatës zgjedhore presidenciale, Maduro doli në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku deklaroi se një rrjet kriminal shqiptar, sipas tij i vendosur në Ekuador, kishte dërguar mercenarë për të kryer atentate në Venezuelë.
“Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin ka dërguar njerëzit e saj për të vendosur eksplozivë në Venezuelë. Janë terroristë”, deklaronte ai më 25 maj, në ditën e zgjedhjeve që pretendonte se do t’i fitonte.
Sipas versionit të tij, shërbimet e sigurisë venezueliane kishin arrestuar persona të rekrutuar nga grupe kriminale shqiptare dhe kolumbiane, të cilët dyshohej se po planifikonin sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe vetë presidentit. Në këto akuza, Maduro përmendi edhe emra ndërkombëtarë, përfshirë Erik Prince, themeluesin e kompanisë private ushtarake Blackwater, duke e paraqitur situatën si pjesë të një komploti të gjerë ndërkombëtar kundër tij.
Ai pretendonte se autoritetet kishin sekuestruar pajisje komunikimi dhe se rrjeti kriminal po përdorte Ekuadorin si bazë për trafikun e drogës, duke përfshirë shtetas shqiptarë dhe kolumbianë.
Sot, vetëm pak muaj pas këtyre deklaratave, Nicolás Maduro përfundon i prangosur nga njësitë elitare amerikane. Në vend që të përballet me atentate të supozuara apo komplotistë të imagjinuar, ai pritet të përballet me drejtësinë për akuzat reale që e kanë shoqëruar për më shumë se një dekadë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



