E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarm për kompaninë ONE Albania?
Sot

Alarm për kompaninë ONE Albania?

Reuters: 4iG mes kompanive më të ekspozuara pas rotacionit në Hungari, pronari zhvillon takime në Shqipëri për sektorin e mbrojtjes

Grupi hungarez 4iG, kompania mëmë e ONE Albania, po përballet me një periudhë të vështirë pas ndryshimit të pushtetit në Hungari. Sipas një analize të publikuar nga agjencia ndërkombëtare Reuters, 4iG renditet ndër kompanitë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve politike, ndërsa investitorët kanë reaguar negativisht pas humbjes së pushtetit nga Viktor Orbán.

Reuters, duke cituar burime qeveritare, ish-zyrtarë dhe analistë, shkruan se kompani të lidhura ngushtë me qeverinë e mëparshme, si 4iG, Opus Global dhe Appeninn, kanë pësuar rënie të fortë të vlerës në bursë, pasi tregu po vlerëson humbjen e mbështetjes politike që ato gëzonin.

Sipas raportimeve, aksionet e 4iG kanë humbur rreth 60% të vlerës që nga fillimi i vitit. Kompania konsiderohet një nga grupet më të favorizuara gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, duke përfituar kontrata të mëdha publike, përfshirë edhe një kontratë të klasifikuar me vlerë 3.5 miliardë euro, e nënshkruar pak javë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari.

Në këtë kontekst, mediat hungareze raportojnë se pronari i 4iG, Gellert Jaszai, ka intensifikuar kontaktet në Shqipëri. Sipas tyre, ai është takuar për herë të dytë brenda pak muajsh me kryeministrin Edi Rama, ndërsa fokusi i bisedimeve këtë herë ka qenë bashkëpunimi në sektorin e mbrojtjes.

Media hungareze Privatbankar raporton se Jaszai ka shprehur interes për të investuar në zhvillimin e kapaciteteve të industrisë shqiptare të mbrojtjes, si dhe për të zgjeruar mundësitë e eksportit në rajon. Në kuadër të kësaj vizite, ai është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndërsa raportimet flasin për negociata të avancuara mbi projekte të mundshme.

Zhvillimet kanë ngritur pikëpyetje për strategjinë e zgjerimit të grupit hungarez në Shqipëri, në një kohë kur ai po përballet me pasiguri në tregun vendas pas ndryshimit të klimës politike në Hungari. Interesi për kontrata në sektorin e mbrojtjes vjen paralelisht me sfidat financiare dhe presionin që po përjeton 4iG në vendin e origjinës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.