Alarmi: Skënder Gjinushi ka marrë peng Akademinë e Shkencave
Studiuesit: Nuk zbatohen vendimet për pagat dhe trajtimin financiar, ai nuk pyet për ligje e VKM
Rreth 100 studiues dhe punonjës kërkimorë-shkencorë të instituteve albanologjike kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve më të larta të shtetit, duke ngritur shqetësimin se nuk po zbatohen vendimet e qeverisë për pagat, kategorizimin dhe trajtimin financiar të tyre.
Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kryeministrit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Financave, Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ata pretendojnë se Akademia e Shkencave nuk po respekton legjislacionin në fuqi që rregullon statusin dhe pagesën e personelit kërkimor.
Sipas studiuesve, problematika ka nisur që në muajin prill, kur profesorati i Institutit të Historisë kërkoi zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave që përcaktojnë kriteret e kategorizimit dhe nivelin e pagave për kërkimin shkencor. Ata theksojnë se kërkesa nuk kishte si synim privilegje, por vetëm respektimin e ligjit.
Megjithatë, pavarësisht kalimit të disa muajve, ata deklarojnë se nuk kanë marrë një përgjigje të qartë juridike nga Akademia e Shkencave. Në vend të saj, sipas tyre, është përcjellë një dokument që nuk lidhet drejtpërdrejt me kërkesën dhe që është hartuar përpara miratimit të akteve të fundit ligjore.
Përballë kësaj situate, studiuesit i janë drejtuar institucioneve të tjera për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të Akademisë së Shkencave.
Në kërkesën e tyre, ata theksojnë se nuk po zbatohen disa akte të rëndësishme ligjore dhe nënligjore që lidhen me organizimin e instituteve albanologjike, kategorizimin e stafit, indeksimin e pagave dhe shpërblimin për punën kërkimore.
Sipas tyre, kjo ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta financiare, pasi nuk kanë përfituar rritjen dhe indeksimin e pagave për vitin 2026, si dhe nuk janë përfshirë në procedurat e reja të kategorizimit. Ata pretendojnë se kjo krijon një trajtim të pabarabartë krahasuar me punonjësit e institucioneve të tjera publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën e administrimit të instituteve pas integrimit në Akademinë e Shkencave. Studiuesit theksojnë se prej më shumë se dy vjetësh nuk janë zhvilluar zgjedhjet akademike të parashikuara nga ligji, ndërsa drejtimi vijon të ushtrohet nga struktura të emëruara.
Po ashtu, ata ngrenë dyshime edhe për përmbajtjen e Statutit të ri të Akademisë, duke pretenduar se disa dispozita bien ndesh me legjislacionin në fuqi dhe krijojnë paqartësi në trajtimin e personelit kërkimor.
Në aspektin financiar, studiuesit theksojnë se brenda Akademisë së Shkencave ekzistojnë dy skema të ndryshme pagash. Sipas tyre, administrata qendrore ka përfituar rritje dhe indeksim pagash, ndërsa personeli kërkimor jo, duke sjellë situata ku paga e stafit administrativ është e barabartë ose më e lartë se ajo e profesorëve.
Ata kërkojnë gjithashtu transparencë për administrimin e të ardhurave të krijuara nga aktivitetet ekonomike të instituteve, përfshirë të ardhurat nga qiratë, duke pretenduar se këto fonde nuk janë përdorur për përmirësimin e trajtimit financiar të stafit kërkimor.
Sipas studiuesve, çështja shkon përtej pagave dhe lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e shtetit të së drejtës. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të marrin masa për rikthimin e trajtimit të barabartë dhe kompensimin e të drejtave të tyre financiare.
Pas disa muajsh komunikimi me institucionet, studiuesit shprehen se ende nuk kanë marrë një përgjigje që adreson thelbin e shqetësimeve të tyre dhe presin ndërhyrje përfundimtare për zgjidhjen e situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



