E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Albin Kurti kundër kushteve : Kosova nuk e pranon Asociacionin e komunave serbe si kusht për anëtarësim në KiE
Lajme

Albin Kurti kundër kushteve : Kosova nuk e pranon Asociacionin e komunave serbe si kusht për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka aspak të bëjë me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Franca dhe Gjermania i kërkuan Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

KiE – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës…Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, shtoi Kurti.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.