E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ambasada amerikane thirrje të fortë para protestës së opozitës
Lajme

Ambasada amerikane thirrje të fortë para protestës së opozitës

Shmangni turmat, rreziku mund të përshkallëzohet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e paralajmëruar sot nga opozita, e cila pritet të zhvillohet në kryeqytet.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin demonstratën, të mbajnë një profil të ulët dhe të tregojnë vigjilencë të shtuar, pasi situatat gjatë protestave mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.

Protesta është planifikuar të nisë sot në orën 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në zonën mes Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë.

Sipas njoftimit, Policia e Shtetit Shqiptar ka paralajmëruar për bllokime të mundshme të kryqëzimeve, prani të shtuar të forcave të rendit, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në disa zona të Tiranës. Për këtë arsye, edhe personeli i Ambasadës Amerikane është udhëzuar të mos i afrohet zonës së protestës.

“Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të përshkallëzohen shpejt”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës, duke theksuar se shmangia e zonave të demonstratave mbetet udhëzimi kryesor i sigurisë.

Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore, të monitorojnë mediat lokale për përditësime dhe të zbatojnë masa bazë sigurie, si:

  • shmangia e protestës dhe zonave përreth

  • vëmendje e shtuar ndaj mjedisit përreth

  • kufizimi i shpërqendrimeve, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në publik

  • mbajtja e një plani emergjence ose strategjie daljeje

  • ruajtja e një profili të ulët

Ambasada Amerikane në Tiranë u bën gjithashtu thirrje qytetarëve amerikanë të regjistrohen në Programin STEP (Smart Traveler Enrollment Program) për të marrë njoftime dhe përditësime të vazhdueshme mbi sigurinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.