E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
AMP në aksion, zbulohet ‘foleja’ e basteve në Fushë-Krujë
Lajme

AMP në aksion, zbulohet ‘foleja’ e basteve në Fushë-Krujë

Sekuestrohen serverë dhe kompjuterë

Një operacion i befasishëm i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka goditur një aktivitet të dyshuar të paligjshëm në fushën e basteve sportive dhe lojërave të fatit në zonën e Fushë-Krujës.

Aksioni, i koduar “Basti i Fundit”, u realizua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca operative, duke çuar në kontrollin e një ambienti bar-kafeje në zonën e njohur si “Tregu Fshatar”. Ky ambient dyshohet se shërbente si pikë organizimi për aktivitete të paligjshme të basteve.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar disa pajisje teknologjike që mendohet se përdoreshin për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Konkretisht, janë gjetur katër kompjuterë të pajisur për funksionim të lojërave të fatit, katër monitorë, si dhe pajisje serverike që dyshohet se mundësonin menaxhimin e basteve sportive në mënyrë të fshehtë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se puna po vijon për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar, si dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë skemë. Njëkohësisht, po verifikohet nëse ka pasur raste të mundshme tolerimi apo përfshirjeje nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë në zhvillim dhe synojnë të zbardhin çdo detaj të kësaj veprimtarie, duke çuar përpara drejtësisë çdo person që rezulton i implikuar.

Operacione të tilla konsiderohen pjesë e përpjekjeve për të frenuar rikthimin e lojërave të fatit të paligjshme, të cilat vijojnë të mbeten një shqetësim në disa zona të vendit.

Njoftimi i AMP:

Goditet aktivitet i dyshuar i paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive

Sot, më datë 07.07.2026, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, bazuar në informacionin e siguruar nga strukturat e Inteligjencës Operative të Agjencisë, ka ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit A.S, në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 4 pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit;

– 4 monitorë;

– pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e basteve sportive të paligjshme.

Nga strukturat kompetente të AMP-së po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, identifikimin e personave të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e tij, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje nga punonjës të Policisë së Shtetit apo subjekte të tjera të fushës së veprimit të Agjencisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi të përfshirë.

AMP mbetet e angazhuar në evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet, tolerohet apo mbështetet nga punonjës të strukturave që janë subjekt i mbikëqyrjes së saj, duke garantuar hetim të paanshëm, profesional dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.