Andi Lila ‘tërbon’ grekët, drejt blerjes së ekipit helen të PAS Janina
Prej disa ditësh, mediat sportive në Shqipëri dhe Greqi po i kushtojnë vëmendje mundësisë që ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, të përfshihet si aksioner te klubi grek PAS Janina.
Skuadra, që sezonin e ardhshëm do të garojë në kategorinë e tretë të futbollit grek, aktualisht ndodhet pa një pronar të qartë pas largimit të Nikos Siontis. Kjo situatë ka nxitur diskutime të shumta në opinionin sportiv, ku nuk kanë munguar edhe reagimet kundërshtuese nga një pjesë e tifozëve.
Disa prej tyre kanë shprehur hapur pakënaqësi për mundësinë që një ish-lojtar i Kombëtares shqiptare të marrë një rol drejtues në klubin e tyre. Megjithatë, mes kritikave, ka pasur edhe zëra që e mbështesin këtë ide.
Një koment në rrjetet sociale ka marrë vëmendje të veçantë dhe shumë pëlqime, ku një tifoz grek mbronte hapur investimin e mundshëm të Lilës:
“Pse po ju llaston? Po fut para!!! Pra, nëse ai (Andi Lila) do të ishte amerikan, ju p***** të vjetër (grekët) do të ishit duke kulluar mjaltë”.

Andi Lila ka një lidhje të fortë me PAS Janina, ku ka zhvilluar mbi 150 ndeshje dhe mbetet një nga lojtarët më të njohur që kanë veshur fanellën e ekipit në vitet e fundit.
Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar për përfshirjen e tij në strukturat drejtuese të klubit. Po ashtu, mbetet ende mister identiteti i biznesmenit shqiptar që përflitet se do ta mbështesë në këtë iniciativë.
PAS Janina vjen pas një sezoni të vështirë, të shoqëruar me probleme financiare dhe rezultate zhgënjyese, që çuan në rënien e ekipit në kategorinë e tretë të futbollit grek.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



