Anuela Ristani jep 1 miliardë lekë për Shpresa AL për 200 metra rrugë
Një tjetër procedurë tenderuese e Bashkisë së Tiranës ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe konkurrencën, pasi dyshohet për favorizim të një operatori të paracaktuar.
Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i rrugës ‘Pjetër Arbnori’”, ku institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka shpallur fituese kompaninë “Shpresa-Al” sh.p.k., me një ofertë që kap vlerën mbi 1 miliard lekë për një segment rreth 200 metra të gjatë.
Ajo që e bën këtë procedurë të dyshimtë nuk lidhet vetëm me koston e lartë të projektit, por sidomos me mënyrën se si është zhvilluar gara. Sipas dokumentacionit, në tender kanë marrë pjesë plot 31 operatorë ekonomikë, një numër që në kushte normale do të garantonte konkurrencë të fortë dhe ulje të çmimit final.
Megjithatë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit, duke lënë në garë reale vetëm subjektin fitues. Shumë prej ofertave më të ulëta janë përjashtuar për arsye që lidhen me kriteret teknike dhe kualifikuese, të cilat konsiderohen nga burime të tregut si të formuluara në mënyrë selektive.
Ndër kërkesat që kanë penalizuar operatorët e tjerë përfshihet pajisja me certifikata specifike nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), një kusht që, sipas ekspertëve, shpesh aplikohet në mënyrë të tillë që favorizon kompani të caktuara që i disponojnë paraprakisht këto dokumente.
Po ashtu, kompanive u është kërkuar të provojnë se stafi i tyre teknik nuk është i angazhuar në asnjë projekt tjetër në momentin e aplikimit, një kriter që në praktikë rezulton i vështirë për t’u përmbushur dhe që kufizon ndjeshëm konkurrencën.
Në këto kushte, procedura ngre dyshime se kriteret mund të jenë përshtatur për të përjashtuar operatorët e tjerë dhe për t’i hapur rrugë një fituesi të paracaktuar, duke vënë në diskutim përdorimin efikas të fondeve publike.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




