Anuela versioni Veliaj 2.0, qeras me 2 miliardë lekë Lush Osmanin
Mungesë konkurrence, çmime të fryra dhe tender me “flamur të kuq”
Edhe pas largimit të Erion Veliajt nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, skema e prokurimeve të dyshimta për karburant duket se vijon pa ndërprerje. Kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, po ndjek të njëjtin model tenderash dhe me të njëjtët përfitues, mes të cilëve spikat biznesmeni Lush Osmani, pronar i kompanisë “Shpresa Al”.
Osmani rezulton prej vitesh përfituesi kryesor i fondeve për furnizimin me karburant të disa drejtorive të Bashkisë Tiranë, veçanërisht Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme në drejtim. Drejtorët kanë ardhur e kanë ikur, por fituesi ka mbetur i njëjtë.
Së fundmi, Anuela Ristani ka miratuar zhvillimin e tenderit me objekt “Loti 1 – Blerje Gazoil 10 ppm”, me një fond limit prej 197,905,989 lekësh. Procedura u shpall më 27 nëntor 2025, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave u la në fund të dhjetorit, një periudhë tipike për tendera të kontestuar.
Megjithëse në garë rezultojnë tre operatorë ekonomikë, sipas të dhënave të Open Data Albania, procedura është shënuar me “flamur të kuq”, pasi është konstatuar skualifikimi i të gjithë operatorëve konkurrues, përfshirë edhe ofertën ekonomikisht më të ulët.
Bashkimi i operatorëve “OLSI” shpk & “RESULI-ER” sh.a kishte paraqitur një ofertë prej 169,665,681.13 lekësh pa TVSH, rreth 160 milionë lekë më pak se oferta fituese, por është skualifikuar. Fitues u shpall kompania “Shpresa Al” shpk, në pronësi të Lush Osmanit, me ofertën 185,117,100 lekë pa TVSH, duke rënduar drejtpërdrejt koston për taksapaguesit e Tiranës.
Pavarësisht se kriteri i përzgjedhjes parashikonte ofertën ekonomikisht më të favorshme bazuar në çmim, ky parim nuk është respektuar. Për më tepër, sipas burimeve, kompania fituese nuk disponon as licencë të vlefshme për tregtimin e karburanteve, fakt që ngre dyshime serioze mbi ligjshmërinë e procedurës.
Në të njëjtën ditë, drejtoresha e Pastrimit dhe Gjelbërimit, Liri Qoshi, ka shpallur fituesin edhe për Lotin 2, “Blerje benzinë”, ku sërish rezulton fituese kompania “Shpresa Al”, me një normë fitimi 24.8 lekë për litër. Edhe në këtë procedurë, pjesëmarrësit dhe skema e përjashtimit mbeten të njëjta.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në vitin 2023, e njëjta kompani fitoi tenderin për furnizim me naftë për një periudhë 36-mujore me fond limit 172 milionë lekë, duke qenë operatori i vetëm në garë dhe duke marrë 100% të fondit. Po ashtu, tenderi për benzinë i po atij viti u fitua nga “Shpresa Al” me të njëjtën vlerë sa fondi limit, 27.9 milionë lekë.
Historia e përfitimeve të Lush Osmanit nga Bashkia Tiranë shtrihet që nga vitet 2016–2017, periudhë kur kompania e tij ka marrë një sërë tenderash për karburant përmes procedurave me negocim pa shpallje, gjithmonë me oferta sa fondi limit. Këto praktika janë evidentuar edhe nga Open Data Albania si tregues të riskut të lartë për korrupsion.
Në total, vetëm në 5 vitet e fundit, Lush Osmani ka përfituar rreth 200 tendera publikë me një vlerë që i afrohet 3 miliardë lekëve.
Ndërkohë, emri i Osmanit është përfshirë edhe në çështje penale. Në vitin 2019 ai u shpall në kërkim nga Policia e Durrësit, si i dyshuar për tjetërsimin e mbi 68 mijë metrave katrorë tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit. Edhe pse Prokuroria kërkoi masë më të rëndë sigurie, ndaj tij u vendos vetëm “detyrim paraqitjeje”.
Të gjitha këto elemente – mungesa e konkurrencës, skualifikimi i ofertave më të ulëta, procedurat e përsëritura me të njëjtin fitues dhe shënimi i tenderave me “flamur të kuq” – përbëjnë një panoramë që ngre dyshime serioze për një skemë të mirëorganizuar abuzimi me fondet publike, e cila duket se ka kaluar nga Veliaj te Ristani, pa u ndërprerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






