Apeli i GJKKO, lë në fuqi vendimin për Berishën dhe Malltezin
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të cilët u morën të pandehur nga SPAK për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Malltezi kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë. Po ashtu edhe Sali Berisha, në ‘arrest shtëpie’ kërkonte ndryshim të masës së sigurisë, por u paraqit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Gjyqtare e çështjes, sërish Ilirjana Olldashi, e cila është sulmuar vazhdimisht nga Berisha dhe dhëndri i tij. Seanca zgjati për rreth 3 orë.
“Ishte vendim i një dirigjence. Hetimet nuk kanë përfunduar. Fryma e procedurës me pritje e përcjellje. U bë komunikimi i akuzës, por nuk u bënë shpjegime”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Mesditën e 11 shtatorit, ish-kryeministri Sali Berisha, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv, duke u bërë kështu zyrtari më i lartë në historinë e shtetit shqiptar që merret i pandehur. Akuzat për aferën Partizani për korrupsion dhe pastrim parash iu komunikuan edhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, ndërsa prokuroria u paraqiti një dosje me prova prej 500 faqesh.
Me një dosje me prova prej 500 faqesh dy prokurorët e SPAK akuzojnë ish-kryeministrin për ‘korrupsion pasiv’ e kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e akuzojnë për ‘korrupsion pasiv e kryer në bashkëpunim dhe ‘pastrim parash”
Një ditë më vonë 12 shtator të pandehur, u morën edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, ortakë të Jamarbër Malltezit në ndërtimin e kullave në ish kompleksin Partizani ku fitoi të paktën 5.4 milionë euro. Bektashi do të përgjigjet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa Begeja për pastrim parash.
Akuzat 4 të pandehurve ia komunikuan dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur që të mos ndryshojë masat e sigurisë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezin.
Sipas avokatit Genc Gjokutaj, gjykata po shkel ligjin.
‘Kjo është një marrëveshje e hapur mes SPAK dhe Gjykatës, që as ti nuk e bën kërkesën dhe as unë nuk respektoj detyrimin që kam ndaj ligjit. Vetë gjykata që ka vendosur masat nuk është e interesuar tani në fund që të shikojë se si kanë vijuar hetimet, sepse nuk kanë përfunduar hetimet’, deklaroi avokati Genc Gjokutaj për gazetarët.
Avokati i kryetarit të PD-së, Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se SPAK po nxiton të dërgojë në gjyq çështjen ndaj ish-kryeministrit pasi ka frikë se mbaron afati i paraburgimit.
I pyetur nëse ka llogaritur kur përfundon afati i masës së sigurisë, Gjokutaj tha: ‘Matematika, kur mbarojnë, nuk është sekret hetimor, por diskrecion i mbrojtjes. Afatet e paraburgimit me afatet e hetimit janë dy gjëra të ndryshme.
Këta nxitojnë sepse i detyron masa e sigurimit, e kufizimit të lirisë, se kanë frikë se u skadon, shuhet masa për shkak të kalimit të afatit tërësor. Dhe nxitojnë. Në rastin e Berishës këta besoj do të nxitojnë. Në raste të tjera, si rasti i Dakos, këta nuk nxituan dhe u shkau nga dora’.
Gjokutaj shprehu rezerva edhe për dosjen e SPAK. ‘Nuk kam parë dosje penale që një person të jetë nën hetim, nën akuzë dhe të mos përmendet me emër. Në funksion të kësaj akuze ka vetëm mbledhje letrash, kontratash. Vepra penale korrupsion kërkon prova. Ta kthesh interpretimin tënd për ta çuar në gjyq, në provë, kjo nuk ka bërë vaki’, tha Gjokutaj.
Avokati i Berishës gjithashtu tha se kryetari i Partisë Demokratike nuk ka rrezik të prishë provat. ‘Provën e provës që ai nuk prish provat janë 3 muajt që ai ka qenë në gjendje të lirë pas tetorit. Asnjë dëshmitar nuk është intimiduar, asnjë zyrë nuk është marrë në telefon dhe asnjë dokument nuk është penguar për t’u administruar’, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



